Në një lidhje direkte nga Vlora nëna e tij Donika Dule tregoi edhe momentin e fundit që kishte pasur me të birin.
“Ishte ora 9:30 kur doli dhe nuk u kthye më. Kanë kaluar 13 ditë dhe nuk e di se ku e kam djalin. Atë mëngjes i bëra edhe një kafe dhe nuk e mendoja se do me zhdukej. Vetëm një shitëse e kishte parë, që i kishte kaluar para dyqanit. Askush nuk më ka ndihmuar edhe ne polici kam bërë denoncim”- shprehet me lot në sy Donika Dule, nëna e të humburit.
Pa mbaruar ende fjalën, moderatorja Odeta Dume ndërpret nënën, pasi mbërrijnë informacionet e para. Një zotëri deklaron se Fatjon Dulen e kishte parë para tre ditëve në zonën e “ Zogut të Zi”. Por, ky nuk do të ishte informacioni i parë, pasi të tjerë qytetarë dhanë vendndodhje të tjera, po në kryqytet duke përshkruar edhe fizikun e 36-vjecarit. Stafi i emisionit u nis për të kryer verifikimet në Tiranë, pikërisht në ato zona ku dyshohej se ishte parë Fatjoni, duke shpërndarë edhe fotot e tij.
Nuk është hera e parë, që Fatjoni është larguar nga shtëpia, ky i ri kishte humbur edhe dy herë të tjera, por fal policisë ishte gjetur. Problemet me shëndetin mendor tek vlonjati kishin nisur para disa vitesh, kur kishte humbur një lidhje dashurie.
"Ishim në Greqi, kur djali u nda nga e dashura. Ai e përjetoi shumë ndarjen dhe që prej asaj kohe shfaqi probleme dhe nga viti në vit gjendja e tij përkeqësohet. Unë e kuroj me ilace, i bëj dy gjilpëra në muaj. Nuk është agresiv është djalë shumë i dashur. Gjithmonë më thoshte do iki, do iki….dhe më iku vërtetë. Ju lutem më ndihmoni ta gjej djalin tim, pasi unë jetoj e vetme dhe nuk di ku të shkoj dhe ta kërkoj”- tha për programin Donika Dule.
Ditën që doli nga shtëpia, Fatjon Dule ka pasur të veshur një bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë të kuqe, një palë pantallona të shkurtra të zeza dhe një palë shapka në ngjyrë blu.
Kush ka informacion është i lutur të lidhet me emisionin “ Pa Gjurmë” në numrat
+355 69 99 55 698 ose 04/4417778
Adresa e FACEBOOK- Pa Gjurmë/Report Tv