Universiteti në faqen e tij, në një homazh për themeluesin e Radioterapisë, shkruan se mjeku Agron Gjata është ndarë nga jeta dje pasdite, ndërkohë që njofton se trupi I tij od të përcillet sot për në banesën e fundit në orën 13:00.
Agron Gjata u lind në një familje me tradita intelektuale dhe atdhedashëse në vitin 1927 në Korçë. Ndërpreu studimet në Liceun e Korçës për t’ju bashkuar lëvizjes nacional-çlirimtare gjate së cilës edhe u internua. Babai i tij, Isuf Gjata mësues dhe patriot është një nga dëshmoret e luftës nacional-çlirimtare. Pas çlirimit, ne vitin 1952, filloi studimet në Varshavë, Poloni ku u diplomua si mjek i përgjithshëm në vitin 1957.
Pas kthimit në atdhe për disa vite rresht punoi si mjek në minierën e Memaliajit dhe në vijim në drejtorinë spitalore të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe nën drejtor në Poliklinikën Qendrore në Tiranë.
Në vitin 1965 vijoi studimet pasuniversitare në Romë, Itali ku u formua si mjek specialist ne radioterapi.
Me kthimin në Shqipëri si mjek specialist në radioterapi bashkë me kolegë të tjerë, Agron Gjata u bë themelues i shërbimit të radioterapisë në Institutin e Onkologjisë, sot Qendra Spitalore Universitare “Nene Tereza”, të cilin e drejtoi deri në daljen e tij në pension.
Agron Gjata gjatë të gjithë karrierës së tij si mjek ka punuar me ndershmëri dhe pasion duke vendosur në qendër pacientin dhe kujdesin për të. Ai ka dhënë kontribut edhe në formimin e brezit më të ri të specialistëve të radioterapisë, të cilët e çuan më tej këtë shërbim.
Universiteti i Mjekësisë, Tirane i shpreh ngushëllime familjes, kolegeve, miqve dhe në veçanti të birit, Rektorit të UM.
Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com








