TIRANE- Është ndarë sot nga jeta në moshën 52 vjeçare ish-futbollisti i njohur i Flamurtarit të Vlorës dhe i Kombëtares shqiptare, Alfred Zijai. Prej 5 ditësh ai ndodhej i shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe gjendja e tij shëndetësore paraqitej tepër e rëndë.

Ish-futbollisti i viteve ’80, vuante nga ceroza hepatike, sëmundje që prek organin e mëlçisë. Vëllai i Alfredit, Loli Zijai tregoi dje për gazeta Shqiptarja.com se “Alfredi, vuante nga një sëmundje e mëlçisë, kishte disa vite që ishte i sëmurë. Gjendja e tij është shumë e rëndë, mbahet në jetë vetëm nga aparaturat. Ai me parë nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje, ka pasur një fizik të fortë dhe pikërisht është ky fizik që e ka mbajtur në jetë deri tani”. Mjekët e reanimacionit thonin se shëndeti i Alfredit ishte shumë rëndë dhe mbahej me frymë vetëm nga aparaturat. Ata shpjegonin se Alfedit nuk mund t'i bëhej transplant për sa kohë ai mbahet në jetë nga aparaturat.

Transplanti sipas mjekëve mund të bëhej vetëm nëse trupi i tij reagon. Para tre viteve ish-futbollisti i Flamurtarit, i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në Libi, por sëmundja e tij nuk mundi të ndalte, pasi dy vite me parë ai sëmuret sërish. Alfredi dje mbushi 52 vjeç dhe shumë pre miqve të tij i dërgonin mesazhe urimi na tregon Loli. “Alfredi sot (dje) mbushi 52 vjeç dhe sot ( dje) po i vijnë shumë mesazhe urimi, nga miqtë dhe kolegët e tij. Shumë prej tyre kanë ardhur këtu, edhe nga federata dhe nga Ministria e Shëndetësisë.”. Po më ikën gjysma ime deklaronte me lot në sy vëllai i Alfredit "Alfredi është gjysma ime, ne kemi qenë shumë të lidhur bashkë . Dhe sa herë që shtrohej ai në spital shtrohesha edhe unë” Vëllai i ish-futbollistit të Flamurtarit tregonte se Alfredi është një tip i sertë. “Alfredi është shumë i sertë, si tip. Madje as gruan e tij nuk e mbante fare në spital, vetëm mua”.

 Ndërsa miqtë të cilët nuk e kanë lënë asnjëherë vetëm na tregojnë “Alfredi, është një mik dhe shok i mirë, ai deri tani ka mbijetuar sepse ka një fizik dhe zemër te fortë”. Vlonjati 52- vjetari Alfred Zijai babai i dy fëmijëve, ka qenë një ndër futbollistët më të mëdhenj të viteve’80. Ai ka luajtur me skuadrën e qyteti të tij të lindjes Flamurtarin. Karriera e tij sportive ka nisur që prej vitit 1979 e deri në vitin 1991. Në fund të karrierës është shpallur edhe kampion me Flamurtarin. Alfredi ka qenë pjesë e Flamurtarit, në kohën kur kjo skuadër u fut në turin e tretë të një kompeticioni ndërkombëtar të organizuar nga UEFA. Në edicionin 1987-1988 të Kupës UEFA, nën drejtimin e trajnerit Leonidha Çuri. Ish-mesfushori i talentuar i vlonjatëve ka luajtur tri ndeshje me Kombëtaren shqiptare. Pas viteve 2000 ai formoi vetë shoqatën e minifutbollit dhe futbollit të sallës ndërsa prej vitit 2009 ai është anëtar i komitetit ekzekutiv të FSHF-së.

(sg/shqiptarja.com)