Ndahet nga jeta baritoni i njohur Burhan Spahiu, një jetë kushtuar Teatrit të Operas

Ndahet nga jeta baritoni i njohur Burhan Spahiu, një jetë kushtuar Teatrit të Operas

Baritoni Burhan Spahiu

Ndahet nga jeta baritoni i njohur Burhan Spahiu, një prej solistëve kryesorë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, që i ka dhënë zë dhjetëra karaktereve. Një prej pedagogëve të shquar të Akademisë së Arteve, i cili nxori nga duart breza të tërë këngëtarësh ndërroi jetë në moshën 76- vjeçare.

"Nga Gjeta tek plaku Zhermon, nga Kristoja te Figaro... U shua baritoni që vishte me zërin e tij të ngrohtë e kumbues personazhet e operistikës botërore e asaj kombëtare. Lamtumirë, artist!

I paharruar mes kolegësh, studentësh dhe publikut që e përcjell edhe sot me duartrokitje!"  shkruhet në statusin e facebook të Ministrisë së Kulturës. BUrhan Spahiu nuk ishte vetëm një bariton i shquar, por edhe professor që përgatiti breza të tërë këngëtarësh të rinj. Artisti i TKOB-it, Aurel Thëllimi duk kujtuar mësuesin e tij shkruan: “Gjithë djemtë e mi janë në opera, -thoshte Profesor Burhan Spahiu...Mirënjohje për punën tënde sepse nën firmën tënde sot jam një Artist,,,Ti sot je pranë Zotit dhe shumë artistëve të medhenj. Shpirti yt sot është në qetësi, sepse ke bekimin e shumë nxenësve të tu. Do të jesh gjithmone mes nesh Profesor,,

Burhan Spahiu lindi në Berat më 5 Janar 1943. Shkollën e mesme e kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe gjatë viteve 1962 – 1967 kryen studimet e larta për kanto në “Konservatorin Shtetëror të Tiranës”, në klasën e pedagogut Ramiz Kovaçi.

Pas mbarimit të studimeve emërohet solist në TOB, ku punon deri në vitin 1989. Gjatë periudhës 20 vjeçare, që ka punuar në TOB, baritoni Burhan Spahiu u dallua për realizimin e një numri të madh rolesh. Janë role nga operat shqiptare dhe nga kryeveprat botërore, ku u shqua për niveli të lartë artistik, si për vokalin, ashtu edhe për lojën skenike.

Baritoni Burhan Spahiu me zërin e tij kumbues, të ngrohtë, me lojën e shkathët, realizoi role, që kanë mbetur në mendjen e spektatorit. Të tilla janë rolet: Talipi, opera “Skënderbeu”; Shemshedini, opereta “Brigada e grave”; Frroku, opera “Përtej mjegullës”; Marcello, opera “La Boheme”; Papuli, opereta “Dhëndrri u transferua”;

Gjeta, opera “Mrika”; Shahin Miluka, opera “Zgjimi”; Kristoja, opera “Lulja e Kujtimit”; Figaro, opera “Berberi i Seviljes”; Rusbashi, opera “Goca e Kaçanikut”; Murrashi , opera “Toka Jonë”; Escamillo, opera “Carmen”; Germont, opera “La Traviata”; Mark Suta, opera “Borana”; Alfio, opera “Cavalleria Rusticana” dhe mjaft role të tjera.

Ka realizuar një numër shumë të madh koncertesh me një repertor të pasur edhe në gjini të tjera vokale si arie, duete, romanca e këngë popullore. Në fushën e pedagogjisë, është një ndër pedagogët më të suksesshëm të Akademisë së Arteve. Një numër i madh studentësh, që kanë mbaruar në klasën e tij, sot, janë artistë të TKOB-së, fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare. Për aktivitetin e tij, Burhan Spahiu është vlerësuar me çmime e urdhëra të ndryshëm gjatë karrierës së tij artistike. Baritoni Burhan Spahiu ka vendin e tij të merituar në TKOB e artin shqiptar.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare