SHBA - Basketbolli amerikan është në zi. Don Nelson, një nga trajnerët më të suksesshëm dhe në historinë e NBA, është ndarë nga jeta të dielën në moshën 86-vjeçare.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Golden State Warriors, skuadër të cilën Nelson e drejtoi në dy periudha, fillimisht nga viti 1988 deri më 1995 dhe më pas nga 2006 deri më 2010.
Nelson la pas një karrierë të jashtëzakonshme, si në parket ashtu edhe në pankinë. Si lojtar i Boston Celtics, ai fitoi pesë tituj kampion të NBA-së, ndërsa më vonë ndërtoi një nga karrierat më të spikatura në historinë e trajningut.
Ai drejtoi skuadra të NBA-së për plot 31 sezone, u shpall tri herë “Trajneri i Vitit” dhe udhëhoqi ekipet e tij drejt play-off-it në 18 raste.
Me 1,335 fitore si trajner, Nelson mbetet i dyti në historinë e NBA-së për numrin e ndeshjeve të fituara. Ai e mbajti rekordin për gati 12 vjet, përpara se të tejkalohej nga Gregg Popovich në vitin 2022.
“Nellie Ball”, filozofia që ndryshoi lojën
Don Nelson ishte shumë më tepër se një trajner fitues. Ai ishte një inovator që ndikoi në mënyrën se si luhet basketbolli modern.
Stili i tij i shpejtë dhe fleksibël u bë i njohur si “Nellie Ball”, ndërsa Nelson ishte ndër të parët që ndryshoi mënyrën e përdorimit të lojtarëve të mëdhenj. Ai i dha më shumë rëndësi shpejtësisë, hapësirave në fushë dhe aftësisë së lojtarëve të krahut për të organizuar lojën.
Një nga momentet më të paharrueshme të karrierës së tij erdhi në vitin 2007, kur Golden State Warriors, të udhëhequr nga Baron Davis, eliminuan në play-off Dallas Mavericks, skuadrën që kishte mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë.
Ai ishte trajneri i Stephen Curryt
Në sezonin e fundit të tij si trajner, Nelson pati mundësinë të punonte me një talent të ri që sapo kishte hyrë në NBA: Stephen Curry. Ylli i Warriors e ka kujtuar gjithmonë me respekt ndikimin e Nelson në fillimet e karrierës së tij.
“Një nga arsyet kryesore pse u zgjodha nga Warriors ishte Don Nelson. Që nga dita e parë ai më sfidoi dhe më dha mundësinë të bëhesha versioni im më i mirë në fushë”, tha Curry në një deklaratë të publikuar nga Warriors.
Curry shtoi se Nelson i kishte mësuar shumë gjatë sezonit që kaluan së bashku dhe e cilësoi atë si një nga mendjet më të mëdha në historinë e basketbollit.
Një trashëgimi e përjetshme
Nelson u përfshi në Naismith Memorial Basketball Hall of Fame në vitin 2012, ndërsa në vitin 2025 u nderua edhe me çmimin Chuck Daly për arritjet e tij gjatë gjithë karrierës.
Përveç Golden State Warriors, ai drejtoi edhe Milwaukee Bucks dhe Dallas Mavericks, ndërsa shërbeu gjithashtu si drejtues i përgjithshëm i të treja skuadrave.







Komente
Komento