TIRANË - Pas një sëmundje të gjatë, eshte ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i Teatrit Kombëtar, Fadil Kujovska. i cilësuar si "krijuesi  i madh i karaktereve skenike". Fadili realizoi disa dhjetra role në skenë dhe në  kinematografi.
Ai kreu studimet e larta për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe më 1974 filloi punë në Televizionin Shqiptar, më pas më 1975 interpretoi në Teatrin e Gjirokastrës, ndërsa nga viti 1978 ishte aktor në Teatrin Kombëtar. Spikati si aktor i planit komik e satirik. Kujovska u dallua veçanërisht për karakterizimin e figurave që vinin nga shtresat e ulëta shoqërore apo rangjet administrative. Më 1978 krijoi shëmbëllimin e figurës së njohur të Shvejkut në komedinë e Gjikë Kurtiqit "Miq të paftuar", nxitur nga romani i mirënjohur i Hashekut "Ushtari i mirë Shvejk". Plastika, gjestet dhe mimika, të përpunuara me shije, krijuan gjasa që ky rol të vetëshprehej si duhej në epërsitë e mundshme të të dhënave natyrore të aktorit.
Ka interpretuar shume role karakteresh si, Hoxhë Qitapit në dramën "Besa e Madhe" të M. Markajt. Një vit më pas luajti me vërtetësi rolin e kinezit Shun në dramën "Furrnalta" të R. Pulahës, me të cilin spikati për shfrytëzimin me mprehtësi të dyplanësive, për plastikën shprehëse, qëndrimin tallës dhe sensin humoristik. Me pas ne "Nata e dymbëdhjetë" e Shekspirit, ne rolin e Ser Tobit, duke mishëruar tipin e fisnikut pijanec, ithtar epikurian, rrëmujaxhi, që i gëzohet jetës dhe qejfit me tepri, sikundër qesh e shpotit hidhtas "viktimat" e rangjeve të tij.
Me interpretimin e doktor Adhamudhit në komedinë "Pas vdekjes"  të A. Z. Cajupit (1984) ai arriti të krijojë plot bukuri skenike tipin e pseudointelektualit dhe pseudopatriotit shqiptar, duke shfrytëzuar me zgjuarsi elementet tjetëruese dhe kundërshtitë komike, plastikën shprehëse. Origjinal dhe i veçantë ka qenë edhe në interpretimin e rolit të Poçarit në dramën "Monsetrati" të Roblesë,  atë të prefektit Vehip në komedinë "Karnavalet e Korçës" të S. Çomores etj. I pa harruar do mbetet Cuku te filmi komedi "Dy here mat", nje dyshe fantastike me aktorin tjeter brilant Aleko Prodani.
Fadil Kujovska luajti role me trill e fantazi; ishte intuitiv, spontan dhe kishte nur komik. Ka interpretuar  në filma artistikë dhe në disa filma televizivë.
Në kujtesën e spektatorëve do të mbeten  shumë personazhe tipke të realizuara prej tij. Një nga miqtë më të afërt të Artistit të Popullit, Kadri Roshi, do t'i mungoje tashmë  familjes dhe skenës shqiptare. Lamtumir Cuk ! /ATSh/