Është ndarë nga jeta ish-ambasadori i BE në Shqipëri Helmuth Lohan. Lajmin është bërë i ditur nga delegacioni i Bashkimin Europian në Shqipëri. 

"Delegacioni i BE-së është thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur nga ndarja nga jeta e ish-ambasadorit Helmut Lohan. Ne kemi humbur një koleg, mik dhe një avokat të përkushtuar për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Mendimet tona dhe keqardhje e thellë për familjen e tij,"- shkruan Delegacioni. 

Keqardhjen për ndarjen nga jeta të ish-ambasadorit e ka shprehur edhe ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

"Me keqardhje mësova për ndarjen nga jeta të ish Ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Helmuth Lohan. Përveç se një mik i çmuar, Helmuth Lohan ishte një burrë i përkorë dhe njohës i shkëlqyer i makinerisë e burokracisë europiane. Vitet e shërbimit të tij në Shqipëri përkojnë me përpjekjet tona për të hedhur hapin e parë, atë të aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Europian", shkruan Bushati në Facebook.

Lohan ka shërbyer si diplomat në Shqipëri nga viti 2006 deri në 2010.