Ish-kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci ka ndërruar jetë. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit ,Dimal Basha. Daci ka shërbyer si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe përkohësisht si President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006.
"Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, një figurë të shquar të jetës politike dhe publike të vendit tonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij", ka shkruar Basha.
Basha ka shtuar se gjatë viteve të shërbimit të tij në krye të Kuvendit të Kosovës, ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e demokracisë parlamentare të vendit tonë.
"Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës.Trashëgimia e tij politike mbetet pjesë e historisë së Kuvendit dhe e përpjekjeve tona për shtetndërtim.U prehtë në paqe", u shpreh Basha.
Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti dhe akademik nga Tërnoci i Bujanocit. Studimet për kimi i kreu në Universitetin e Beogradit, doktoratën në Zagreb, ndërsa specializime pasuniversitare dhe pasdoktorale në Belgjikë dhe Angli. Karrierën akademike e zhvilloi në Universitetin e Prishtinës, ku u bë profesor ordinar në vitin 1984. Ishte anëtar i disa institucioneve shkencore ndërkombëtare dhe figurë udhëheqëse e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku shërbeu edhe si kryetar.
Veprimtaria e tij shkencore u përqendrua kryesisht në kiminë e qymyrit të Kosovës dhe mbrojtjen e mjedisit, me shumë punime, projekte dhe botime universitare. Krahas punës shkencore, ai ishte aktiv edhe në jetën politike të Kosovës, duke qenë deputet dhe kryetar i Kuvendit (2001–2006), si dhe themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
Komente












