TIRANË- Pas një sëmundjeje të rëndë, ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare jashtë Shqipërisë, mjeku i njohur Isuf Kalo.

Isuf Kalo endokrinolog, ka qenë mjeku personal i ish-diktatorit Enver Hoxha.  Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar dhe ai kishte shkuar për kurim jashtë vendit dhe ritet sjellja e trupit në atdhe. Sipas një amaneti që ka lënë i ndjeri, lamtumira e fundit dhe varrimi do kryhen në vendlindjen e tij, në Luzat, ku ai u lind në 1942. Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta të cilët kanë vlerësuar rolin e tij.  

Isuf Kalo është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe ishte anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë. Isuf Kalo ishte jo vetëm mjek, por profesor, publicist dhe figurë e spikatur e historisë së vendit.

Mes botimeve të tij ka qenë edhe libri i titulluar "Blloku" ku ka rrëfyer në një intervistë për Report Tv te '5 pyetjet nga Babaramo', se çfarë ka ndodhur brenda "Bllokut", e aq më tepër brenda shtëpisë së Enver Hoxhës gjatë kohës që ka drejtuar vendin dhe aq më tepër në ditët e tij të fundit të jetës.

Kush ishte Isuf Kalo
Kalo ka lindur në vitin 1942 në Tepelenë. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Prof. Kalo u specializua në disa vende evropiane për diabetologji dhe endokrinologji. Ai është një nga pionierët e këtij domeni në Shqipëri. Për disa vite ka qenë kryetar i endokrinologjisë dhe sëmundjeve metabolike në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Spitalin Universitar të Tiranës. Ai është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor i Mjekësisë dhe i nderuar me Çmimin Punëtor Shkencëtar i Dalluar i Shqipërisë.

Në vitin 1985 Isuf Kalo ishte mjeku personal i Enver Hoxhës.

Midis 1991 dhe 2004 ai u punësua nga Zyra Rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën (në Kopenhagë), duke drejtuar Programin Evropian të Diabetit dhe më vonë Programin e Cilësisë së Sistemit Shëndetësor në Evropë. Ai është autor i një sërë botimesh në shtypin mjekësor të vendit të tij dhe jashtë saj, si dhe është anëtar nderi i disa komiteteve ndërkombëtare dhe shoqatave mjekësore në Evropë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:32
Presidenti Begaj shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Isuf Kalos: Autoritet i i padiskutueshëm në fushën e endokrinologjisë

1673880408_begaj2.jpg

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mjekut Isuf Kalo.

‘Mora lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të Profesor Isuf Kalos. Profesor Kalo ishte një personalitet i përmasave ndërkombëtare në mjekësi, një autoritet i padiskutueshëm në fushën e endokrinologjisë.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë e shumtë që ai pati, kolegët dhe studentët që e patën model profesional dhe pacientët e shumtë të cilëve ai iu përkushtua. Të qoftë dheu i lehtë Profesor!’- shkruan Begaj.

Ora 19:13
Ndarja nga jeta e mjekut Isuf Kalo/ Meta mesazh ngushëllimi familjes: Shembull i misionarit dhe intelektualit, përfaqësonte vlera të mëdha humanizmi

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta  ka shprehur ngushëllimin e tij pas ndarjes nga jeta të mjekut të njohur Isuf Kalo ditën e sotme. Me anë të një postimi në Facebook, Meta i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes për këtë humbje të pazëvendësueshme dhe  shtoi se Kalo njihej për  humanizmin e tij dhe në të njëjtën kohë edhe për thellësinë e kumtimit shkencor, kulturën e gjerë erudite dhe novatorizmin e ideve mjekësore dhe sociale dhe kontributet e tij do të jenë të pashlyea në historinë e Shkencës Mjekësore në Shqipëri.

"Në këtë moment të ndarjes nga jeta të Profesor Isuf Kalo i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së tij të dashur për këtë humbje të pazëvendësueshme. Kam pasur kënaqësinë e veçantë ta njoh nga afër Profesor Isuf Kalon, që përfaqësonte si rrallëkush vlera të mëdha si humanizmi, thellësinë e kumtimit shkencor, kulturën e gjerë erudite dhe novatorizmin e ideve mjekësore dhe sociale. Kontributet e Isuf Kalos për dekada të tëra në fushën e shëndetësisë kanë shënuar gjurmë, që do të mbeten të pashlyera në historinë e Shkencës Mjekësore shqiptare, qoftë si Profesor, por edhe në kërkimin dhe publicistikën mjekësore. Profesor Isuf Kalo ishte një shembull i misionarit dhe intelektualit, që pa u ndalur kumtoi gjatë gjithë jetës shkencën dhe përvojën personale aq të pasur e të larmishme brenda dhe jashtë vendit. U prehtë në paqe dhe i paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij!", shkruar Ilir Meta në facebook.

Ora 18:51
Ndahet nga jeta mjeku Isuf Kalo, Manastirliu: Kontributi i tij është i paçmuar! U prehsh në paqe profesor

1674150769_isufkalooo.png

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar për ndarjen nga jeta të mjekut Isuf Kalo. Ministrja shkruan se kontributi i tij është i paçmuar.

“Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Isuf Kalos.

Bisedën e fundit me prof. Kalon e kisha në mesin e dhjetorit, kur e ftova për të marrë pjesë në një prej atyre ngjarjeve që për profesorin ishin ”pikë e dobët”, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Një proces që kishte pionier prof. Kalon dhe vizionin e tij.

Por kontributi i profesor Isul Kalos është i paçmuar për mjekësinë shqiptare, në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT për disa dekada.

U prehsh në paqe prof. Kalo”- shkroi Manastirliu.