Profesori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. as. dr. Albert Riska ka ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare pasditen e 13 gushtit.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, teksa ceremonia e mortore do të zhvillohet këtë të premte, në orën 15:00.
Kush ishte Albert Riska
Albert Riska lindi më 8 shtator 1963. Studimet për Gjuhë-Letërsi i kreu në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, me të cilin lidhi gjithë jetën e tij akademike. Pas një përvoje të shkurtër si mësues, nisi punën si pedagog dhe për më shumë se tri dekada dha mësim e zhvilloi kërkimin shkencor në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Në vitin 2004 fitoi gradën “Doktor i shkencave”, ndërsa në vitin 2013 titullin “Profesor i Asociuar”.
Për afro dy dhjetëvjeçarë mbajti edhe detyra drejtuese në Universitetin e Elbasanit, si përgjegjës seksioni e departamenti dhe, në vitet 2016–2022, si dekan i Fakultetit të Shkencave Humane. Ishte gjithashtu sekretar i Këshillit Botues dhe redaktor i Buletinit Shkencor UNIEL.
Në veprën e tij shkencore një vend të rëndësishëm zunë arumanishtja dhe marrëdhëniet arumuno-shqiptare, të trajtuara edhe në monografinë “Arumunët — shënime për gjuhën dhe kulturën” (2005). Me “Shqipja dhe krishterimi” (2012) iu kushtua historisë së leksikut të besimit dhe toponimisë, ndërsa studimet mbi apofoninë, të kurorëzuara me monografinë “Gjurmë të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe” (2022), përbëjnë një nga kontributet më të veçanta të punës së tij shumëvjeçare.
Krahas veprimtarisë shkencore, ishte bashkautor tekstesh shkollore, përkthyes dhe redaktor. Me “Shqipja e qeshur” (2018) solli edhe një përmasë tjetër të marrëdhënies së tij me gjuhën: humorin e hollë dhe vështrimin e studiuesit që dinte ta afronte dijen me lexuesin pa ia zbehur seriozitetin shkencor.
-
Nje talent i gjuhes shqipe. Studimi mbi apofonine eshte brilliant. Nga me te miret bere ndonjehere ne historine e shqipes. Nje talent qe beri vertet shkence te madhe gjuhesore dhe qe meritonte me teper. Nje humbje e madhe per shkencen e gjuhesise shqiptare. Albert Riska ishte nje nga ata qe pa frike hynte ne 7-8 gjuhetaret me te mire qe ka patur Shqiperia ne historine e saj. I perjetshem kujtimi,Bert!
Përgjigju







Komente
Komento