Artisti me famë botërore Prince Rogers Nelson, i njohur me emrin e artit Prince, është ndarë nga jeta në moshën 57-vjeçare. Muzikanti ikonë ka ndërruar jetë në studion e regjistrimit në Minnesota, për arsye ende të panjohura, megjithëse dyshohet për mbidozë, raporton TMZ.

Prince është nominuar për 32 çmime Grammy gjatë karrierës së tij dhe ka fituar 7 prej tyre. Përgjatë këtij viti ai ka luajtur në shfaqje të vogla surprizë në kuadër të turit të tij në Amerikën e Veriut.

Një nga performancat e tij të fundit është shënuar në Toronto, më 26 Mars, ku artisti i madh performoi 57 këngë dhe një cover të hitit të David Bowie “Heroes”.