Shuhet ‘Mbretëresha e valles shqiptare' Lili Cingu, 'Nder i Kombit'! Valltarja ikonë e Ansamblit Kombëtar

I bashkëngjiti valles shqiptare emrin e saj Liljana Cingu, në krahë të legjendave 'fluturuese' të skenës sonë. ‘Mjeshtrja e madhe’, ‘Nderi i Kombit’ solistja "mbretëreshë" e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Lilili Cingu u shua mbrëmjen e kësaj të hëne në moshën 73-vjeçare, pas betejës me një sëmundje të rëndë.

Javën e fundit gjendja e valltares "shtojzovalle" u përkeqësua dhe fatkeqësisht kaloi në gjendje kome, derisa zemra e saj pushoi së rrahuri, ndërsa emri i saj do të mbetet i skalitur në historinë e valles shqipe.  Mbi 200 valle të kërcyera prej saj, për Liljana Cingun u nis të flitet që në adoleshencë, si një talent i rrallë. 

Liliana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël. Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë.

Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”,  "Oshëtima e maleve", “Dasma e Rugovës", ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte "Luftëtarët e lirisë" me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.

Gjatë trazirave në Shqipëri, në '97-ën, Cingu  u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.

E konsideruar si "Perëndesha e valleve", Cingu ishte gjithashtu një zë kritik, për investimin e nevojshëm tek artistët e Ansamblit, me shqetësimin që të përçohej tradita e vendit tonë dhe angazhimin për t'u trashëguar brezave vallen e bukur shqipe.

Homazhet për artisten e ndjesë do të mbahen nesër në orën 10:00 në hollin kryesor të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Kush ishte Liljana Cingu, ‘mbretëresha’ e valles shqiptare

Liljana Cingu, u lind në Tiranë në 31 dhjetor 1950. Ashtu si dhjetëra artistë të tjerë edhe tek Lili talenti ra në sy që në fëmijëri. Ajo ndërmjet sportit dhe artit zgjodhi këtë të fundit.

Që në moshën 12 vjeçare përfaqëson shkollën ‘11 Janari’ në një konkurrim sportiv, ku dhe fiton një medalje duke u kualifikuar e para. Regjistrohet në grupin e valleve pranë Pallatit të pionierëve dhe më vonë 1963 ndjek një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Ajo ju kushtua tërësisht valles dhe nuk mbeti e zhgënjyer.

Përfundon shkollën e mesme në Liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.

Në vitin 1967, pranohet si valltare profesioniste pranë AKVP, krahas valltareve të tjera. Në fillim interpreton si valltare e thjeshtë në grupin e valleve në vallet “Vallja e maleve”, “Vallja e tërkuzës”etj.

Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për më se 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle , nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj.

Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike. Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.

Sukseset e AKKVP janë të lidhura edhe me solisten e këtij ansambli Lili Cingun. Në çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë ku ka shkuar e është prezantuar Ansambli ka qënë present edhe Lili Cingu, duke marrë pjesë në shumë festival ndërkombëtare, ku ajo ka shpalosur me interpretimin e saj vlerat e artit koreografik shqiptar. Lili Cingu është një nga valltaret shqiptare që ka krijuar një personalitet të sajin tipik, jo vetëm në skenë por edhe jashtë saj.

Ajo punoi në AKKVP deri në vitin 1997, vit në të cilin u largua në Kanada si plotë artistë të tjerë në atë kohë, ku ushtroi profesionin e saj. Krijoi shkollë ku përgatiti brezin e ri të kërcimit të valles popullore shqiptare. Me duart e saj,si të ishte një stiliste, u qepte valltarëve kostumet e trevave të ndryshme, sidomos në festën e flamurit. Kurse vetë Lili si soliste, ka interpretuar disa herë në koncerte në Kanada, ku të pranishmit janë shprehur: “Me lëvizjet dhe kërcimin e saj, vendi i vogël shqiptar na duket i madh”.

Në vitin 2003 në Festivalin e Folkut në Tuz të Malit të Zi, si e ftuar me grupin e valleve të shqiptarëve në New York, u vlerësua si grupi më i mirë i festivalit. Edhe pas kthimit në atdhe Lili nuk e ndërpreu aktivitetin e saj artistik. Ka marrë pjesë në recitalet e partnerëve të saj Rexhep Çeliku e Besim Zekthi dhe në vitin 2011 organizoi recitalin e saj “Vallja ime, jeta ime”. Artistja e madhe e skenës, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles”. Lili Cingu mban titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. Për talentin, punën dhe suksesin e Liljana Cingut flasin dhjetra emisione televizive, reportazhe, me qindra faqe të shtypit të shkruar brenda dhe jashtë vendit .

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:11
'Hyjneshë e valles shqipe, të rrodhën lot nga sytë', Shkodran Tolaj tregon takimin me Lili Cingun: Vallëzimin e fundit ia fale Shkupit, ngrite në këmbë 800 spektatorë!

Drejtori i Ansamblit Shtetëror Shqiptar në Maqedoninë e Veriut, artisti Shkodran Tolaj ka shprehur keqardhjen për ndarjen fizike nga jeta të valltares ikonë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, "Mjeshtres së Madhe" Liljana Cingut. Në fjalët e tij, ai risjell në vëmendje se ndër kontributet e fundit skenike të valltares, ka qenë në koncertet e nëntorit në Manastir dhe më pas në dhjetor në Shkup në vitin 2022.


"Lliliana Cingu, faleminderit që vallëzimin e fundit të jetës, ia fale Ansamblit Shtetëror Shqiptar në RMV në koncertet e nëntorit në Manastir e Shkup! I tronditur por jo i papërgatitur, mora lajmin për ndarjen tënde nga kjo jetë! Por vetëm fizikisht, sepse shpirtërisht do jesh pranë nesh si hyjneshë e valles shqipe nga e cila do të duhej të mësonin shumçka, kërcimtaret e reja! Do të duhej të mësonin durimin tënd, sakrificën që deri momentin e fundit ti dedikohesh profesionit duke mbajtur veten në formën më të mirë fizike dhe në kondicion të tillë, sa dhe si 70 vjeçare të dukesh se fluturon në skenë!Liliana Cingun, pata fat ta njoh në vitin 2012 në Mal të Zi, në koncertet e mbajtura me artistë të mëdhenjë të skenës, në mesin e tyre Rexhep Çeliku, Mirush Kabashi e shumë të tjerë! Nuk e mendoja se më vonë do të jemi bashkëpunëtorë të ngushtë në punët e shumta artistike!  Me marrjen e detyrës si drejtor i Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV, kontaktin e parë e vuna me Lilin e cila me energjinë, elanin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm ishte e gatshme të jep kontribut të pakursyer në çdo moment! U gëzua si një fëmijë, kur ish - partneri i skenës Rexhep Çeliku u nderua me medaljen e ansamblit, mandje mund të them më tepër se kur vet mori këtë medalje në Manastir, në koncertin e 22 nëntorit 2022 kur dhe u bë anëtare e nderit në institucionin për të cilin nuk kurseu kurrë vlerësimet më ekselente të shprehura publikisht! Në dhjetor të vitit 2022, kur më ndodhi një incident fizik në skenë, para koncertit në Shkup, nuk harroj kurr fjalët e saj: do buzëqeshësh, mos të shoh të dorëzuar, do shkosh edhe me “paterica” në skenë! Artisti nuk dorëzohet kurrë!", shkruan Tolaj.

Artisti më tej e konsideron Cingun si model tënjeriut të madh dhe artistes shembullore dhe tregon takimin e fundit me valltaren e ndjerë.

"Para një jave, dëgjova se me shëndet nuk i kishte punët mirë! Mora rrugë për ta vizituar në shtëpi ku na priti me po të njejtën buzëqeshje, e rregulluar dhe fisnike si çdoherë! Në momentin që i përmenda disa nga miqtë tanë të përbashkët, pashë që i rrodhën lotët sikur e dinte se nuk do ti takojë më! Pas ndarjes me të, isha thellësisht i prekur dhe i vetëdijshëm që skenës dhe jetës sonë artistike po i shkëputet një yll kurse Ansambli shqiptar po humb një mikeshë të madhe! Faleminderit që vallëzimin e fundit në skenë ia fale qytetit të shkronjave shqipe Manastirit duke na bërë aq krenarë! Faleminderit që pa asnjë hezitim përsërite këtë vallëzim të bukur në Shkupin që e doje aq fort deri në adhurim, në një koncert të nëntorit të vonuar ( kur po kujtonim dhe viktimat e tërmetit në Bullgari) që u mbajt më 19 dhjetor 2022 ku në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup ngrite në këmbë mbi 800 spektatorë që të kishin pritur vite të tëra për të të parë në atë skenë! Edhe në atë moment falje aq dashuri dhe mbështesje aq shumë të rinjtë duke i vlerësuar sikurse tek “Vallja e çobanit” të cilën e solle së bashku me vallëtarin Ilir Loku e që padiskutim në arkivën e ansamblit shqiptar, do të jetë vlerë e pazëvendësueshme! Sot na ike, pikërisht në 88 vjetorin e lindjes së mësuesit tënd të jetës Besim Zekthi duke u bashkuar me të dhe mjeshtrin e madh Rexhep Çeliku për të ndriçuar përjetësisht memoaret e valles shqipe! Në emër të trupës artistike e administrative të IN Ansambli i këngëve e valleve popullore shqipe në RMV, shprehë ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët e botën artistike! Lamtumirë, nderi i kombit shqiptar! Isha i privilegjuar dhe përjetësisht i nderuar që të pata mike e bashkëpunëtore besnike! Me shumë dhembje, përkulje e krenari për veprën tënde", shprehet më tej Tola.

Ora 21:34
Meta: Trishtim për ndarjen nga jeta të Liljana Cingut, emblemë e artit dhe kulturës

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të valltares Liljana Cingu.

Meta e konsideron Cingun si një nga emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës.

‘Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të artistes tonë të madhe Liliana Cingu, "Nderi i Kombit", njërës prej emblemave të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës. Falë mjeshtërisë së rrallë në interpretimin e valleve shqiptare, kontributi i saj i vyer për promovimin e denjë të vlerave të trashëgimisë tonë të pasur kulturore dhe përçimi i tyre tek brezat e artistëve të rinj do të mbetet gjithmonë i respektuar, frymëzues dhe i paharruar. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve!’- shkruan Meta.

Ora 21:18
Ndarja nga jeta e valltares Liljana Cingu, Veliaj: Ngushëllime të ndjera për familjen e mbretëreshës së valleve shqiptare

Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu, është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh ngushëllimet e përzemërta për familjarët e valltares.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të mbretëreshës së valleve shqiptare, Lili Cingu. Ngushëllime të ndjera familjes!”, shkruan Veliaj në Facebook.

Ora 21:08
'Shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore', artistët fjalë zemre për 'Shtojzovallen' e Ansamblit Popullor, talentit që shkëlqeu që 16-vjeçe

Miq dhe kolegë të artistes, "Nderit të Kombit", shprehin ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares Liliana Cingu.

"Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, "Mjeshteren e Madhe", "Nderin e Kombit", znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit. Ndërsa përballemi me humbjen e saj, le të kujtojmë dhe të çmojmë kujtimet dhe mësimet që na la "Mbretëresha e valles Shqiptare" Lili Cingu. Ajo do të vazhdojë të jetojë në zemrat dhe mendjet tona përmes artit të saj dhe pasionit të papërsëritshëm që shprehu në çdo hap të jetës së saj. Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj.", shkruan valltari Genc Kastrati.

 

"E trishtë ndarja nga jeta e "Mbretëreshës së valles shqiptare", Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t'i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi." shkruan violinistja dhe drejtorja e TKOB, Abigela Voshtina.

 

"Buzëqeshja dhe këshilla jote do të na mungojë shumë! Ke fluturuar gjithë jetën dhe sot hape krahët për fluturimin e fundit! Ti ishe dhe do të mbetesh gjithmonë Perëndesha e valles dhe shëmbëlltyra më e bukur e shpirtit njerëzor! Fat i madh për këtë komb ku lindën figura të tilla, fat i madh për ne që të njohëm e që të kishim afër! Vallëzo në parajsë me yjet e tjerë e madhja dhe e mira Lili Cingu - Nder i Kombit", shprehet Sokol Marsi, drejtor artistik i  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore

Liliana Cingu u angazhua që në moshën 12-vjeçare në Pallatin e Pionerëve, ndërsa në moshën 16-vjeçare ajo u rendit mes profesionistëve në Ansambël.

Besim Zekthi e Zoica Haxho, ishin ndër të parët që e inspiruan, e më pas ndanë skenën me të. Ndër daljet e fundit në skenë, veçonte recitalin e fundit me të madhin, Rexhep Çelikun dhe artistët e tjerë 13 vjet më parë. Liljana Cingu përshkroi të gjithë shqiptarinë në valle nga ”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”,  "Oshëtima e maleve", “Dasma e Rugovës", ndër kërcimet e saj më të adhuruara ishte "Luftëtarët e lirisë" me heronjtë Azem Galica dhe Shote Galica.

Gjatë trazirave në Shqipëri, në '97-ën, Cingu  u zhvendos për disa vjet në Kanada, por edhe jashtë vendit, (gjithashtu u angazhua me vallen në Amerikë) ajo çoi bukurinë e valleve shqipe, duke punuar me të rinj të talentuar.

Ora 20:55
Kryetarja e Kuvendit shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Lili Cingut: Princesha e valleve shqiptare

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares Lili Cingu.

"Lamtumirë, Lili Cingu, princesha e valleve shqiptare! Vallet e Jugut, Çamërisë, Korçës, Kolonjës, Shqipërisë së Mesme, vallet epike të Veriut, vallet e Dropullit dhe krahinave të tjera të Shqipërisë i bëre më të lehta dhe u dhe plot bukuri e hijeshi me kërcimin tënd!"-shprehet Nikolla.

Ora 20:50
Ndarja nga jeta e Lili Cingut, Begaj: Do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe

President i vendit Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të valltares Liljana Cingu.

Begaj shkruan se artistja shqiptare do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe.

‘Artistja Liljana Cingu “Nderi i Kombit” do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si ikona e valles shqipe.’- shkruan Begaj.

 

Ora 20:08
Rama: Lamtumirë Lili Cingu, le zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare

1707160394_4257756369441670237456263431058517324273991n1.jpg

Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të valltares së njohur, Liljana Cingu, e nderuar edhe me titullin “Nderi i Kombit”.

"LAMTUMIRË.Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe", shkruan Rama.

S.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • turi: 06/02/2024 20:19

    A ka lene femije qe te trashegojme ,,ndoshta nje loli cingu te ri...ishte me te vertete artiste e madhe....

    Përgjigju
  • E. B..: 06/02/2024 07:58

    U prefte ne paqe Flutura e valles shqiptare Lili Cingu Qofte i lehte dheu Ngushullime familjes

    Përgjigju
  • Rosy: 05/02/2024 21:27

    Pata kënaqësi ta njihja dhe te kaloja pak kohe me mbretereshen e valles shqiptare....me vjen shum keq per humbjen e nje njeriu kaq te dashur te respektuar dhe gjithmonë e qeshur....lamtumirë mbretëresha e valles shqiptare do jesh gjithmonë ne zemrat tona e paharruar...

    Përgjigju
  • A...Zh: 05/02/2024 20:05

    Ishte madheshtore, u prehte ne paqe! Ngushellime familjes!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja