Kryeministri Hashim Thaçi, për nga llafet e premtimet qindra milionëshe në përkrahje të kandidatëve të PDK-së nëpër komuna për zgjedhjet e 3 nëntorit, jo vetëm që do ta zbrazë buxhetin e shtetit, por ka rrezik të na zhysë borxheve, prej nga s’dimë si të dalim.

Normalisht, nëse ia marrim fjalët përnjëmend e jo si premtime blof.

Për sefte, vetëm dy ditët e para të fushatës njëmujore, Thaçi i shpërndau hiç më pak se 330 milionë euro. Me llafe. E llogariteni vetë, për 30 ditë nëse vazhdon kështu s’do t’i mjaftojë as buxheti i Gjermanisë.

Ata që nuk kanë probleme me sëmundjen e harresës, u kujtohet se premtime për investime dhjetëra e qindra milionëshe i njëjti lider pati dhënë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2010, por shumë projekte infrastrukturore të premtuara as që u nisën të realizohen gjatë mandatit të kryetarëve të komunave.

Përpos investimeve, ai në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 bëri një premtim tjetër bosh kur deklaroi se nëse do t’i fitonte zgjedhjet dhe do të bëhej kryeministër, siç u bë, pas 15 muajve kosovarët do të lëvizin lirshëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E heqjen e vizave me vendet e BE-së as që e diskutonte, e merrte si punë të kryer.

Cili prej këtyre premtimeve të forta, mbi të cilat sigurisht se ka marrë votat, është realizuar? Tash, gati katër vjet më pas, heqja e vizave të kosovarëve për në BE s’është realizuar, e lëre më heqjen e vizave për SHBA, ku e kanë të ndaluar të shkojnë gati gjysma e zyrtarëve të partisë së tij.

Nëse nuk ia kalon, me premtime të tilla, nuk mbetet prapa as partneri i tij i vogël i koalicionit, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli. Se sa është për t’iu besuar këtyre premtimeve, mjafton t’i kthehemi në retrospektivë deklaratave të tij në zgjedhjet e fundit parlamentare. Pacolli në atë kohë kishte premtuar në Gjilan 120 mijë vende pune për kosovarët, pa i llogaritur edhe premtimet tjera për dërgimin e mijëra punëtorëve jashtë vendit dhe me realizimin e këtyre premtimeve, papunësia në Kosovë do të krahasohej me shtetet e zhvilluara si Gjermania (5 për qind), e jo 40 për qind sa është aktualisht.

Papunësia për katër vjet nuk është ulur aspak, por vetëm nëse është rritur, pasi vendet e reja të punës mbeten vetëm fjalë, edhe pse vetë ministrat e Pacollit udhëheqin me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Rivali kryesor i Hashim Thaçi, lideri i opozitës Isa Mustafa, zakonisht zgjohet nga gjumi gjatë fushatave zgjedhore dhe nis me kritika e premtime, për t’iu revanshuar partive në pushtet.
Ai që në zgjedhjet e vitit 2010 kishte premtuar 700 milionë euro investime kapitale në Prishtinë, apo sa gjysma e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës, të premten e kaluar premtoi ndërtimin e një stadiumi me standarde të FIFA-s.

Vështirë kjo për t’u besuar, po aq sa ishte e vështirë t’i besohej premtimi i tij në zgjedhjet e vitit 2010 kur tha se gjithë banorët e kryeqytetit do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë, të cilin premtim po e përsërit edhe në fushatën aktuale.

Fjalët e Ramush Haradinajt se do të qeverisë më mirë vendin, do ta luftojë korrupsionin, haraçin, duken më shumë si demagogji, pasi vetë partia e Haradinajt kur ishte në krye të qeverisë u shqua për skandale të shumta. Haradinaj ishte ai që pas kthimit nga Haga mbylli sytë ndaj akuzave për korrupsion galopant kundër Hashim Thaçi, me shpresën se do ta marrë hisen e vet në qeveri.

E partia e Albin Kurtit e pasprovuar me pushtet, në nivel lokal e qendror, nuk dihet çfarë shembulli të qeverisjes do të jepte. Mirëpo, disa hapa të tij politikë të viteve të fundit, duke u afruar me grupet radikale islamike, me qëllim të përfitimeve të votave, mund të jenë shenjë se për interesa personale Kurti do të bëjë koalicion edhe me “djallin”.

Si promovues i flaktë i idesë për bashkim kombëtar ai nuk e tha asnjë fjalë të vetme kundër atyre që e përçmuan heroin kombëtar, Skënderbeun, e as humanisten botërore, Nënë Terezën.
Në fund, çka të thuhet tjetër për deklarimet e tilla të liderëve tanë, përveç gënjeshtra. E një gënjeshtër që përsëritet, edhe nëse nuk besohet, pranohet!

Marrë nga "Zëri"