Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se Baki Goxhaj, aktivisti shqiptar i ndaluar në flotiljen Sumud (që po dërgonte ndihma në Gaza), ndodhet në shtetin izraelit.

Në një reagim për Report Tv, Ministria e Jashtme njofton se sëshpejti përfaqësues të Ambasadës shqiptare në Tel Aviv do të mundësojnë një takim me Goxhajn, për të mundësuar kthimin sa më të shpëjtë të tij në Shqipëri.

Ky është reagimi i parë nga autoritetet shqiptare për 'fatin' e Goxhajt, pasi anija me të cilën ai po udhëtonte drejt Gazës raportohet se ishte qëlluar me plumba gome.

Më herët ditën e sotme, disa pamje të rënda qarkulluan në rrjetet sociale, ku aktivistët e “Global Sumud Flotilla” shfaqeshin me pranga në duar dhe kokat poshtë, pasi u ndaluan nga forcat izraelite.

Pamjet janë publikuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili shkoi në portin e Ashdodit (ku po qëndrojnë aktivistët) dhe i ironizoi aktivistët me fjalët: “Mirë se vini në Izrael, ne jemi pronarët e kësaj shtëpie”.

Ndërkohë Ministria e Jashtme shqiptare ka sqaruar që shqiptari Baki Goxhaj ndodhet në një qendër ndalimi, por nuk ka saktësuar nëse ai ndodhej në qendrën në portin e Ashdodit, ku aktivistët e tjerë po mbaheshin në gjendje skandaloze.

Reagimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për Report Tv:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vazhdon të ndjekë më vëmendje e përparësi situatën lidhur me shtetasin shqiptar, z. Baki Goxhaj, pjesëmarrës në flotiljen “Sumud”, i ndaluar nga autoritetet izraelite së bashku me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë.

Sipas informacioneve zyrtare, ai është transferuar në Izrael.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite dhe së shpejti do të zhvillojë takim me z. Goxhaj, për t’i ofruar asistencën e nevojshme konsullore dhe në këtë kuadër, për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të shtetasit shqiptar në atdhe.

Lajm në përditësim...