Eriselda Balliu, bashkëshortja e shqiptarit Baki Goxhaj, i cili u ndalua 2 ditë më parë nga forcat izraelite bashkë me aktivistë të tjerë nga vende të ndryshme, teksa po dërgonin ndihma në Gaza përmes flotës së anijeve ‘Sumud’, ka kërkuar nga shteti shqiptar që të ushtrojë më shumë presion ndaj Tel Avivit, për të marrë më shumë informacion për bashkëshortin e saj dhe për kthimin e tij në Shqipëri.

Në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Balliu deklaroi se nuk dinte asgjë për fatin e bashkëshortit, pasi sipas saj, anija me të cilën ai po lundronte ishte goditur me plumba gome nga forcat izraelite.

Por fatmirësisht, pak pas deklaratës së Eriselda Balliut, Ministria e Jashtme e Shqipërisë konfirmoi për Report Tv se Baki Goxhaj ishte mirë dhe ishte transferuar në Izrael.

“Ajo sjellje që ne pamë është neveri. Neveri të shohësh një ministër të shtetit izraelit, që në sy të tij të bëhet një trajtim i tillë i personave të paarmatosur. Një informacion konkret nuk e kemi ende nga Ministria e Jashtme. E kam shumë të vështirë të jem mos-mirënjohëse me të gjitha qëndrimet e ulëta që ka mbajtur shteti shqiptar karshi gjenocidit të Gazës. Duhet ta them se të paktën ambasadorja edhe gjatë ditës së sotme, është përpjekur që të jetë e gjendur edhe në aspektin njerëzor, edhe përtej orarit të punës. Ajo që më tha deri më tani, nuk ka qenë e ditur ‘fati’ i Bakiut. Por të paktën më tha që ka mbërritur edhe mjeti i dytë transportues, sepse këta ishin të ndarë në dy grupe transporti. Kanë mbërritur të dy grupet, por ministria e Jashtme Izraelite nuk i ka dërguar një listë ambasadës tonë atje”, tha mes të tjerash Balliu.

Më tej Balliu foli edhe për bisedat që kishte zhvilluar me Ambasadën shqiptare në Izrael, teksa përfaqësues nga selia jonë diplomatike në Tel Aviv i kishin konfirmuar se ditën e nesërme do të shkonin në kampin e ngritur pranë portit të Ashdodit, për të kërkuar një takim me Baki Goxhajn.

Teksa falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës shqiptare në Izrael për disponueshmërinë, Balliu ripërsëriti thirrjen për më shumë presion nga shteti shqiptar, pasi sipas saj, nëse ajo që i ka ndodhur bashkëshortit të saj në Izrael do i ndodhte një shtetasi izraelit në Shqipëri, Tel Avivi do të ‘ngrinte alarmin’.

“Ambasada shqiptare në Jeruzalem mban kontakte me mua, prandaj e falënderova. Edhe sot kemi komunikuar, edhe para 10 minutash ma dha këtë informacion. Unë mendoj se edhe presioni mediatik që është bërë dhe të gjitha reagimet e të gjithë njerëzve, fjala e të cilëve dëgjohet, mund të ketë bërë dobinë e vet. Pasi unë i përmenda disa shembuj, sepse kemi një grup me aktivistët që kanë qenë në anije me Bakiun, dhe pasi përmenda sesi Ambasada franceze pritej të takonte shtetasit e vet nesër në mëngjes, dhe ambasadorja u riinteresua dhe tha ‘edhe unë do të shkoj’. Kështu ishin organizuar, do të shkonte edhe ajo të qëndronte para asaj qendrës dhe nuk do pres tha njoftimin zyrtar, sepse i bie të zgjasë njoftimi zyrtar dhe të shikojmë çfarë mundësie do të krijohet për ta takuar. Ambasadorja nuk e di nëse Bakiu ndodhet aty. Sepse nuk duhet harruar fakti se varka ku ndodhej Bakiu, është një nga varkat që është qëlluar me plumba plastik. Dhe në dijeninë time edhe një nga aktivistet është qëlluar, por nuk e dimë sa mund të jetë lënduar. Kështu që ne zyrtarisht nuk e dimë nëse Bakiu ndodhet atje nga ata të sjellët dhe nuk e dimë nëse është mirë me shëndet apo jo. Pra shteti shqiptar nuk e di nëse është gjallë apo jo. Duhet të kishte më shumë presion nga shteti shqiptar. Unë këtë i thashë ambasadores, si do të ishte reagimi i shtetit izraelit, në rast se diçka e tillë i ndodhte një shtetasi izraelit në vendin tonë”, vijoi më tej Balliu.

Më tej Eriselda Balliu vlerësoi aktin e bashkëshortit të saj, që kishte marrë guximin për të qenë pjesë e flotiljes që do të dërgonte ndihma në Gaza.

Teksa dënoi sjelljen e ushtrisë dhe ministrit izraelit me aktivistët, ajo i cilësoi veprimet e Izraelit në Gaza një gjenocid të pastër, që sipas saj duhet dënuar.

“Unë mendoj se çdo shtet duhet t’i dalë për zot shtetasve të vet. Në rastin konkret për një njeri si Bakiu, i cili është një individ që i ka dhënë shtetit të vet dhe ka nderuar popullin shqiptar. Ka nderuar popullin e vet që të qëndrojë me dinjitet karshi një gjenocidi, të tregojë sikur e kemi treguar dhe mburremi sot për qëndrimin që kemi mbajtur si shtet dhe popull në kohën e luftës së dytë botërore. Veprimi i Bakiut, pavarësisht se është veprim i një individi, ka përfaqësuar zemrat e shumë njerëzve, që mezi e prisnin atë drejtësi. Ai drejtësinë mbase nuk e solli, por tregoi se ne qëndrojmë dinjitetshëm. Mendoj se pavarësisht interesave të shtetit shqiptar, një individ të tillë që guxon për të drejtën, edhe pse ka shumë për të humbur, prapë nuk përkulet. Edhe pse është treguar se është intimiduar gjatë rrugës, ai nuk është përkulur. Mbase duhet të ketë një arsye më të fortë që luftën për të negociuar diplomatikisht për lëshimin e Bakiut, ta bëj edhe më të madhe.

Ne na lidh me situatën në Gaza së qenit njerëz. Ne jemi të gjithë njerëz nëse duam të mbetemi njerëz. Pse respektohet aq shumë Petro Marko që shkoi dhe mori pjesë në luftën e Spanjës. Njeriu që tregon humanizëm përballë një ngjarjeje, që nuk e kishim parë ndonjëherë me sy nga afër. Nëse do të kisha njëfarë sigurie fizike, edhe unë do të kisha qenë prej atyre që merrnin pjesë.

Këtë vit Ministria e Jashtme izraelite e 4-fishoi fondin e Hazbarës, që në njëfarë mënyre është fondi për propagandën dhe bërjen të dukshme të narrativës së Izraelit nëpër botë dhe nëpër mediat tona. Por përmes këtyre pamjeve, ato fonde shkojnë kot, sepse ata vetë veten e ulin me dorën e tyre dhe bëhen të neveritshëm”, tha më tej Bakiu.

Balliu zbuloi gjithashtu disa prej procedurave të ndjekura nga bashkëshorti i saj, për të qenë pjesë e flotiljes ‘Sumud’ që do të dërgonte ndihma në Gaza.

Ajo tregoi me Baki Goxhaj i ishte nënshtruar disa testeve fizike e psikologjike, me qëllim që të pranohej për të qenë pjesë e grupit të aktivistëve që do të niseshin drejt Gazës.

“Kjo ishte hera e parë që Bakiu ndërmerrte këtë mision. Ne jemi pjesë e një forumi që quhet forumi ‘Palestina e Lirë’, është forum aktivistësh, jemi njohur nëpër protestat që janë bërë për Gazën në Tiranë. Ka komunikime me forume të ngjashme në Itali. Bëhet një aplikim dhe ti kalon disa procese intervistash të shumëllojshme. Pastaj bën trajnime edhe fizike. Ai shkoi një javë në muajin mars që bëri një trajnim. Dhe vetëm pak ditë para nisjes u konfirmua që ai do të ishte pjesë e flotiljes. Baki ishte pjesë e ‘Freedom’ Flotila. Kanë personat e tyre në krye dhe bëhen intervista si në aspektin psikologjik, aspektit fizik e ligjor, për t’u siguruar që përshembull një nga gjërat kryesore që bëhej gjatë trajnimit ishte edhe mënyra e të rezistuarit paqësisht. Sepse nëse dikush do të ishte gjaknxehtë, mund të rrezikonte gjithë pjesën tjetër të ekuipazhit, në mënyrën sesi do të përballej me brutalitetin e ushtrisë Izraelite”, përfundoi Bakiu.