Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i kërkoi llogari ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari lidhur me udhëzimin për ndalimin e monopatinave, çështja e cila ka shkuar edhe në Gjykatë Kushtetuese. Kapri tha se po penalizohen të rinjtë që kishin blerë mjete elektrike për të shkuar në punë e në shkollë dhe udhëzimin e quajti antkishtetues. Ligjvënësi opozitar akuzoi ministrin e Brendshëm se ulin kokën para të fortëve dhe atyre me makina të shtrenjta dhe adoleshentët me makina i përndjekin sikur të ishin spaçatorë kokaine.
“U bënë 6 muaj që ministria ka marrë vendim antikushtetues që tregon se çfarë përfaqëson qeverisja juaj. Keni vendosur që të gjithë shqiptarët që qarkullojnë me mjete elektrike, duhet të ndalohen dhe të bllokohen të gjitha. Keni shkuar deri aty, kur një nënë më ka shkruar se si djali i mitur 17-vjeçar që i kishin blerë një motor elektrik për të shkuar në shkollë, policia ia mori motorin, e kanë çuar në polici, pa praninë e një psikologu dhe si dhanë asnjë letër për pronën e tij. Kjo tregon modelin tuaj ndaj këtyre të rinjve që janë në model, që shkojnë në punë me mjete elektrike, që i kanë blerë me kredi, një mjet elektrik do të thotë një makinë me pak. Ju vetëm ua vështirësoni jetën, keni humbur çdo lidhje me realitetin, në vend ti inkurajoni i trajtoni si kriminelë. I gjëmoni adoleshentët sikur janë spaçatorë kokaine. Me të fortët jeni kokulur ministër. Do kalojnë me dhjetëra makina luksoze të të rinjve që s’justifikojnë burimin, më thoni sa prej tyre i keni thirru në kom dhe i keni kërkuar llogari për burimin e të ardhurave. Ky nuk është model që e tregoni tek të rinjtë e monopatinave. Heshtin, sepse mesa duket po përgatitet tjetër projekt për oligarkun se si ta kapë këtë model në rritje”, tha Kapri.
Ministri Lamallari zgjodhi të përgjigjet me shifra dhe tha se ky vendim ishte i drejtë dhe kishte vetëm një mision, mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Sipas tij, monopatinat ishin kthyer në burim aksidentesh, konkretisht 587 raste në 2023-shin, 991 raste në 2024-ën dhe 887 raste në 2025-ën. Lamallari bëri publike shifrat minimale të aksidenteve prej tetorit që janë të ndaluara, vetëm 6 të tilla, dhe mbrojti vendimin e marrë nga paraardhësja Albana Koçiu.
“Ka qenë vendim i drejtë dhe i duhur, duke pasur një mision, mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Në 2023 janë evidentuar 587 raste aksidentesh nga monopatinat, në 2024 plot 991 raste aksidentesh duke përfshirë edhe humbje jete. Ka shkuar 887 në 2025-ën. Ka pasur trend shqetësues në rritje, nga viti në vit, duke rrezikuar jo vetëm jetën e përdoruesve, por situata ndryshoi pas këtij vendimi, ku u ndalua përdorimi i monopatinave. Nga ndalimi deri më sot janë konstatuar vetëm 6 raste, kemi një ulje në minimum. Nga 1350 monopatina të verifikuara nga policia, rezultojnë pa dokument pronësie. E rëndësishme është të hedhim sytë nga BE, ata e kanë trajtuar duke patur parasysh jo përfitimet politike, por mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të tyre. Më i famshëm është Parisi që ndaloi përdorimin e monopatinave, nuk është masë antiligjore, por rregull dhe shmangia e kaosit në rrugë”, tha Lamallari.
Deputeti Kapri ju kundërpërgjigj se në Kushtetuese do të dështojnë më turp. 6 muaj pas ndalimit ende nuk ka një udhëzim për përdorimin e monopatinave. Ato do të rikthehen në qarkullim vetëm pasi të përcaktohen rregullat e qarta, se si do të lëviznin në rrugë, mosha e drejtuesit, apo qoftë edhe regjistrimi apo targimi i tyre.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ PD: Krimi i infiltruar në polici! Lamallari: Baltosja politike e policisë cenon sigurinë kombëtare, vrasjet u ulën me 50%












