TIRANË- Dy javë pas ndalimit të monopatinave, ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu mblodhi në një tryezë diskutimi të gjithë institucionet që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore. Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu thekson se ndalimi i monopatinave do të vijojë deri në krijimi e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre.

Koçiu shkruan se po hartojnë rregullat e reja që do të përcaktojnë standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara. Po ashtu, do të hartohen edhe përgjegjësitë për institucionet që do të sigurojnë zbatimin e ligjit. Ministrja shprehet se vendimi për ndalimin e përkohshëm të monopatinave u mor me qëllim që të garantohet siguria e qytetarëve dhe ky vendim do të hiqet vetën pasi të hartohen të gjitha rregullat për qarkullimin e tyre në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit.

"Pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve, deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre. Në tryezën e diskutimit me institucionet kryesore që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore, vumë në fokus hartimin e rregullave të reja që do të përcaktojnë: standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit dhe zonat e lejuara, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit. Qëllimi është normimi i lëvizjes së monopatinave elektrike në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit", shkroi Koçiu.

Pavarësisht vendimit për t’i ndaluar monopatinat përkohësisht, sipas një vëzhgimi të Report Tv në rrugët e Tiranës, monopatinat vijojnë të qarkullojnë, ndërsa vetëm 2 ditë më parë dy persona që po drejtonin monopatinat mbetën të aksidentuar. Vëzhgimi i Report Tv solli edhe reagimin e deputetit socialist Erion Braçe, i cili ironizoi ministren Koçiu dhe kryepolicin Ilir Proda, duke thënë se u mungon kurajo të përballen me problemin.