Të hënën, Policia e Shtetit nisi aksionin për ndalimin e monopatinave në vend. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu dhe drejtori i policisë, Ilir Proda njoftuan se ndalimi i tyre do të jetë i përkohshëm për shkak të rasteve të shtuara të aksidenteve nga monopatinat, deri në marrjen e masave të duhura.

Eksperti për sigurinë rrugore, Islam Qibini, në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju”, tha se vendimi është i drejtë. ASipas tij, në 2024 janë shënuar rreth 991 aksidente me monopatina dhe skuter, ndërsa gjatë këtij viti numri ka arritur në rreth 800. Ai tha se ndalimi i tyre është i domosdoshëm për shkak se përdoruesit nuk respektojnë asnjë rregull të qarkullimit rrugor, gjë që bëhet burim aksidentesh.

“Nisur nga problematika që ka krijuar përdorimi i monopatinave si mjeteve të reja që janë futur rishtas 5-6 vitet e fundit dhe duke parë shtimin e madh të tyre, kanë krijuar problematikë. Duke iu referuar statistikave të urgjencës ku numri i personave të përfshirë në aksident me monopatina dhe skuter është rreth 991 në 2024. Duke parë edhe trendin e amplitudës së aksidenteve, të përfshirë me këto mjete, është trend që rreth 700-800 aksidente gjatë kësaj periudhe, vitin 2025. Ka patur disa aksidente me humbje jete, ka pasur te pedonalja prapa Muzeut. Edhe aksidentin e fundit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit edhe të tjera. Kanë qenë raste ku drejtuesit e monopatinave për shkak të mos zbatimit të rregullave janë përfshirë në aksident. Këto mjete nuk klasifikohen në legjislacionin rrugor. Duke referuar nenit 47 të Kodit Rrugor, këto janë mjete që duhet të përfshihen nëpërmjet biçikletës dhe çiklomotorit, por për shkak të fuqisë dhe energjisë që mbartin, deri në 0.5 kilovat, dhe shpejtësisë deri në 25 km/ orë, ka nga ato që jo vetëm kanë fuqi më të madhe por qarkullojnë edhe mbi 25 km/orë që krijojnë problematikë për sigurinë rrugore. Këto mjete qarkullojnë në sens të kundërt, gjithashtu nuk respektojnë sinjalistikën, qarkullojnë në vijat e bardha ku nuk iu japin përparësi këmbësorëve dhe mbi trotuar. Plus më pas drejtuesit e tyre nuk është përcaktuar mosha se cilët duhet t’i drejtojnë. Nuk ka një legjislacion dhe VKM që të përcaktohet specifikisht mënyra e lëvizjes së tyre.”, tha ai.

I pyetur për masat që duhet të merren, Qibini theksoi se duhet të ndryshohet legjislacioni ose të hartohet një rregullore për përdorimin e këtyre mjeteve. Në këtë rregullore duhet të përfshihet mosha e përdoruesve, mbi 16-vjeç, të kryejnë një trajnim disa ditor si dhe mjetet të kenë një numër identifikimi. Qibini theksoi gjithashtu se duhet ndaluar përdorimi i monopatinave për qëllime biznesi.

“Vendim i mirëpritur sidomos nga përdoruesit e rrugës duke parë mënyrën e lëvizjes së këtyre mjeteve dhe problematikat që krijojnë gjatë qarkullimit. Duhet një legjislacion ose një udhëzim midis Ministrisë së Brendshme dhe të Energjitikës dhe Transportit për të nxjerrë një rregullore, ku të përcaktohet mosha e përdoruesve 16-vjeç. Të bëhet një kurs trajnimi 7-10 ditor për të njohur normat bazë të sjelljes. Këto mjete të kenë një numër identifikimi, në strukturën e monopatinës. Duhet të qarkullojnë me kasë, jo dy veta. Të respektohen rregullat e përparësisë në kryqëzime e degëzime. Pra t’i nënshtrohen të gjitha rregullave bazë të qarkullimit rrugor. Të lëvizin në krahun e djathtë të karrexhatës. Të ndalohet edhe si biznes.", shtoi ai.