Dubai ka hapur plazhin e parë privat në botë ekskluzivisht për gra, që funksionon 24 orë në ditë dhe premton privatësi të plotë për vizitoret. Plazhi ndodhet në zonën Al Mamzar, në verilindje të emiratit, dhe ka nisur të presë banore dhe turiste që nga fillimi i këtij muaji.

Autoritetet kanë vendosur rregulla të forta sigurie dhe privatësie. Fotografimi është i ndaluar, ndërsa zona monitorohet me sisteme inteligjente mbikëqyrjeje për të garantuar sigurinë e grave që frekuentojnë plazhin. E gjithë struktura operon vetëm me femra, nga rojet e sigurisë deri te rojet bregdetare ndërkohë që plazhi ka një zonë e veçantë për fëmijë.

Sipas autoriteteve të Dubait, projekti është pjesë e një investimi më të madh për zhvillimin e plazheve publike në qytet, me një vlerë që arrin rreth 700 milionë euro.

“Plazhet në këtë zonë janë pjesë e një programi më të gjerë për zhvillimin e plazheve, në kuadër të planit gjithëpërfshirës të Dubait”, deklaroi qeveria vendase.

Ndryshe nga zonat e tjera në Emiratet e Bashkuara Arabe që ofrojnë akses vetëm në disa ditë apo ambiente të caktuara për gra, ky është plazhi i parë që ofron akses të plotë 24 orë. Me një sipërfaqe prej 125 mijë metrash katrorë, projekti pritet të tërheqë miliona vizitorë. Bashkia e Dubait parashikon që pas përfundimit të fazës së dytë të zhvillimit të Al Mamzar, numri i vizitorëve mund të arrijë deri në shtatë milionë në vit.