Kryeministri Edi Rama ka vendosur të bëjë një reformë të madhe në drejtësi. Meqenëse drejtësia që kemi nuk po arrin t’i dënojë njerëzit aq shpejt sa dëshiron qeveria, është menduar një zgjidhje më praktike: të ndëshkohen edhe ata që nuk kanë bërë gjë, por që kanë pasur fatin e keq të ndodhen pranë atyre që kanë bërë diçka. Nëse gjatë një proteste dikush hedh një gur dhe ti vazhdon të qëndrosh aty pas paralajmërimit të policisë, mund të gjobitesh deri në 500 mijë lekë. Madje, sipas paketës së propozuar, në rrethana të caktuara mund të përgjigjesh edhe penalisht.
Kjo është një arritje e rëndësishme në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar. Deri dje, për të dënuar një njeri duhej të provohej çfarë kishte bërë. Tani do të mjaftojë edhe të provohet ku kishte qëndruar. Nëse një protestues thyen xhamin e një dyqani, përgjegjës mund të bëhet edhe ai që ndodhet pranë tij dhe nuk largohet pas urdhrit të policisë. Nëse qytetari nuk e ka dëgjuar urdhrin, kjo nuk është sqaruar ende. Por, me sa duket, për këtë punë do të kujdesen ekspertët europianë.
Me këtë logjikë mund të përmirësohet ndjeshëm edhe lufta kundër korrupsionit. Nëse një ministër vjedh, mund të gjobiten të gjithë ata që kanë marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë. Nëse një drejtor merr ryshfet, mund të ndëshkohen edhe punonjësit që kanë qenë në korridor. Madje mund të gjobiten edhe ata që kanë pirë kafe me të, sepse duhet ta kenë kuptuar se pranë tyre po ndodhte diçka e paligjshme.
Por reforma nuk ndalet këtu.
Kryeministri parashikon gjoba edhe për pjesëmarrjen në tubime pa leje. Kjo është interesante, sepse në Shqipëri protestat nuk kanë nevojë për lejen e policisë, por për njoftimin e saj. E ka thënë edhe Avokati i Popullit. Megjithatë, përderisa tani kemi ekspertë francezë dhe italianë, nuk është e arsyeshme të mbetemi peng i disa hollësive të ligjit shqiptar.
Një tjetër risi është regjistri elektronik i personave të referuar ose nën hetim. Këtu drejtësia shqiptare bën një hap të madh përpara. Nuk është më e nevojshme të jesh dënuar nga gjykata për t'u futur në një listë shtetërore. Mjafton të jesh referuar ose të jesh nën hetim. Më pas, sipas kryeministrit, mund të kesh probleme në kufi, në udhëtimet jashtë vendit, madje edhe me kompanitë e transportit dhe strukturat akomoduese.
Në këtë mënyrë, një qytetar mund të mos jetë shpallur fajtor nga asnjë gjykatë, por një hotel jashtë Shqipërisë mund të marrë informacion se ai paraqet rrezik për rendin publik. Turisti shqiptar nuk do të ketë më nevojë të marrë me vete rekomandime. Qeveria do t'ia dërgojë vetë hotelit karakteristikën e tij.
Kjo do të ndihmojë shumë edhe turizmin europian. Recepsionisti i hotelit do të mësojë se klienti ka qenë në një protestë në Tiranë, ku është hedhur një gur. Nuk dihet nëse klienti e ka hedhur gurin, por dihet se nuk është larguar menjëherë. Për çdo rast, hoteli mund t'i caktojë një dhomë larg dritareve.
Paketa merret edhe me fëmijët. Nëse një i mitur merr pjesë në një protestë të dhunshme, prindërit mund të përballen me gjobën. Kështu, pas përgjegjësisë individuale, kemi zbuluar edhe përgjegjësinë familjare. Nëse djali gjashtëmbëdhjetëvjeçar nuk bindet të largohet nga protesta, babai do të paguajë. Përfundimisht, shteti ka gjetur një mënyrë shumë të efektshme për të forcuar autoritetin prindëror: duke i kthyer prindërit në përgjegjës financiarë për bindjet dhe sjelljet e fëmijëve.
Edhe mësuesit marrin një paralajmërim të posaçëm. Ata nuk duhet të përdorin autoritetin e tyre për t'i çuar nxënësit në protesta. Kjo, në vetvete, është e arsyeshme. Por duhet pasur kujdes që nesër të mos ndëshkohet mësuesi vetëm sepse nxënësit e tij protestojnë kundër qeverisë. Do të ishte një shkollë e çuditshme ajo ku mësuesi ka detyrë t'u mësojë nxënësve Kushtetutën, por duhet të shqetësohet nëse ata vendosin ta përdorin.
Ndryshimet parashikojnë edhe perimetra sigurie ku policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë. Rreth institucioneve shtetërore, shkollave, spitaleve dhe objekteve të tjera të ndjeshme. Sigurisht, të gjitha këto institucione duhen mbrojtur. Problemi është se protestuesit zakonisht dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësinë ndaj institucioneve shtetërore, jo ndaj pemëve të Parkut të Madh. Nëse u ndalohet të afrohen te institucionet kundër të cilave protestojnë, mund t'u caktohet një vend i përshtatshëm ku të mos shqetësojnë askënd. Për shembull, ndonjë kodër larg Tiranës.
Kryeministri ka menduar edhe për internetin. Policia do t'u kërkojë qytetarëve të fshijnë postimet që përmbajnë thirrje për dhunë dhe, sipas rastit, do t'u ofrojë edhe mbështetje psikologjike. Këtu reforma merr karakter human. Qytetari që ka shkruar diçka të paligjshme nuk do të përballet vetëm me policin, por edhe me mundësinë e një këshillimi psikologjik. Mbetet të sqarohet nëse mbështetja psikologjike do t'u ofrohet edhe atyre që lexojnë përditë deklaratat e qeverisë.
Ndërkohë, Kodi Penal do të kujdeset edhe për satirën dhe parodinë. Kryeministri siguron se ato nuk do të ndëshkohen kur janë të shënuara si të tilla. Është një përparim i madh. Shkrimtari satirik do të ketë mundësinë të vazhdojë të tallet me qeverinë, me kusht që t'i shpjegojë paraprakisht shtetit se po bën shaka. Ndoshta në të ardhmen do të ketë edhe një formular në e-Albania, ku autori të deklarojë se teksti që vijon nuk duhet marrë seriozisht.
Megjithatë, e gjithë paketa ka një mangësi. Ajo nuk e ka zgjidhur plotësisht problemin e qytetarëve që ecin në rrugë me duart në xhepa. Këta persona mund të jenë duke shkuar në punë, mund të kenë ftohtë, por mund edhe të kenë mendime kundër qeverisë. Përderisa policia nuk mund ta dijë menjëherë çfarë kanë në mendje, do të ishte më e sigurt që t'u kërkohej t'i mbanin duart jashtë xhepave.
Madje, për të shmangur çdo keqkuptim, qeveria mund të miratojë edhe një tabelë të re në hyrje të Bulevardit Dëshmorët e Kombit: NDALOHET KALIMI ME DUAR NË XHEPA!Poshtë tabelës mund të vendoset një sqarim: Qëndrimi me duar në xhepa nuk përbën vepër penale, përveç rasteve kur policia ka arsye të dyshojë se qytetari po mendon diçka të papërshtatshme.
Në fund të fjalimit, kryeministri na siguron se nuk ka asnjë pikë të paketës që bie ndesh me të drejtat kushtetuese të qytetarëve. Kjo siguri është për t'u admiruar. As Gjykata Kushtetuese nuk do të guxonte të fliste me kaq bindje pa e shqyrtuar më parë tekstin e ligjit.
Prandaj, për të kursyer kohë dhe shpenzime, ndoshta duhet të mendohet edhe një reformë e fundit. Të hiqet nga Kushtetuta neni që garanton prezumimin e pafajësisë dhe të zëvendësohet me një formulim më praktik: Çdo qytetar konsiderohet i fajshëm derisa qeveria të ketë arsye të mendojë se eshte i pafajshem.
Kjo do ta lehtësonte shumë punën e shtetit. Nuk do të kishte më nevojë të shpenzoheshin vite për të provuar fajësinë e njerëzve. Do të mjaftonte të kontrollohej ku kishin qenë, me kë ishin shoqëruar, çfarë kishin shkruar në Facebook dhe nëse i kishin mbajtur duart në xhepa.
Në fund të fundit, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër qeverisë. Këtë ua garanton edhe kryeministri. Me kusht që të mos shqetësojnë qeverinë.
-
Gellci! Ti paske rrjedhur or mik. Inati spurdhjak qe ke me Ramen nuk duhet te shtyje te shkruash (e ne kete rast “shkruash”eshte kompliment) idiotsira te kesaj marrie! Shendet trurit mik se te paska ngelur vetem helmi i urrejtjes.
Përgjigju -
O shakaxhi, jo dhunë, jo shkaterimit të biznesit privat dhe institucineve publike. Jo dhunë ndajë forcave te rendit.
Përgjigju -
More mbreti ka dal lakuriq me kohe, por asnjeri nga shpura qe ka rrotull nuk ja mban qe t`ja thote. Gjithsesi ndodhet ne fazat e fundit te cmendurise politike.
Përgjigju -
Nje pyetje kam:a e ke nga mosha apo kete nivel ke patur gjithmone. Po te jete nga mosha edhe falet,por eshte faji yne se nuk te kemi njohur me pare. Kam frije se e ke per hakmarrje ngaqe te futen ne burg per vnjedhje. Socialistet e vertete i dorzojne HAJDUTET qe te japin llogar si puna jote. Me kete mendje prape ATY do te shkosh.
Përgjigju









Komente
Komento