Një video e publikuar nga Policia e Shtetit ka fiksuar momentin kur një 53-vjeçar ndalon makinën përballë një lokali në Mullet, zbret nga automjeti dhe qëllon me pistoletë në ajër.

Në pamje shihen tre persona të ulur në ambientet e lokalit, ndërsa pak çaste më vonë përpara tij ndalon një automjet. Prej andej zbret një burrë me pantallona të shkurtra, nxjerr armën dhe qëllon në ajër, përpara se të largohet.

Sipas policisë, objektiv i kanosjes ishte 23-vjeçari me inicialet A.H., i cili ndodhej në lokal dhe ishte konfliktuar më herët me autorin për motive të dobëta.

Pas njoftimit për të shtënat, shërbimet e Policisë së Tiranës arrestuan në flagrancë 53-vjeçarin me inicialet F. Ç., banues në Mullet.

Nga hetimet rezultoi se ai e mbante pistoletën pa leje. Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan nga policia.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"Qëlloi me pistoletë në ajër, përballë lokalit në Mullet, ku ndodhej 23-vjeçari me të cilin ishte konfliktuar më parë, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit bashkë me municionin. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, menjëherë pas njoftimit se në afërsi të një lokali në fshatin Mullet, një shtetas kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri, dyshohej për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet tij dhe një shtetasi që ndodhej në lokal, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe autorësinë e rastit. Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Njoftimi”, u parandalua përshkallëzimi i këtij konflikti, si dhe u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi F. Ç., 53 vjeç, banues në këtë fshat. 53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar në ajër, me armë zjarri (pistoletë), të cilët e posedonte pa leje, përballë lokalit ku ndodhej shtetasi A. H., 23 vjeç, me qëllim kanosjen e tij, sepse ishin konfliktuar më parë, për motive të dobëta. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme" 

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë