TIRANË - Presidenti Bujar Nishani shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur Agron Bala duke vlerësuar kontributin e tij jo vetëm në fushën e medias, por edhe në shoqëri.
 
"Gazetaria e lirë dhe pluraliste e pas viteve të rrëzimit të diktaturës komuniste, në themelet e saj ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Agron Balës. Shpirti i Agronit u prehtë në parajsën e përjetshme! Ju zonja Irma, dhe vajzës suaj Jonës, ju dhëntë Zoti forcë dhe qetësi shpirtërore!", shprehet Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit.
 
Gazetari Agron Bala ndërroi jetë në Itali disa ditë më parë si pasojë e një sëmundje të rëndë.
 
Mesazhi i plotë

“E nderuara familja Bala,

Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Agron Bala, në kohën kur më së shumti mund të jepte për familjen e tij të nderuar, për gazetarinë dhe të gjithë shoqërinë shqiptare.
 
Për brezin e gazetarëve të pas viteve ’90-të, emri i Agronit është ndër më të njohurit dhe me shumë kontribute në gazetarinë radio-televizive.
 
Agroni do të mbahet mend si gazetar, themeluesi i radios së parë private në Shqipëri, profesor i gazetarisë, e njëkohësisht si skenarist  i dhjetëra dokumentarëve televizivë.
 
Ai ishte një drejtues i njohur i emisioneve televizive dhe njëri ndër gazetarët e parë të Shqipërisë në selitë e organizatave evropiane në Bruksel.
 
Gazetaria e lirë dhe pluraliste e pas viteve të rrëzimit të diktaturës komuniste, në themelet e saj ka edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Agron Balës.
 
Shpirti i Agronit u prehtë në parajsën e përjetshme!
 
Ju zonja Irma, dhe vajzës suaj Jonës, ju dhëntë Zoti forcë dhe qetësi shpirtërore!

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)