Foto: Eliot Engel dhe Ilir Meta

Ish presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kongresmenit amerikan Eliot Engel. Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta thotë se kombi ynë nuk mund t'ja shlyejë dot kontributin e paçmuar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si edhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA

Njoftimi i plotë:

Me hidhërimin më të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të papërsëritshëm të Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, ish-Kryetarit të Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel.

Ne kurrë nuk mundëm dhe nuk mund t'ja shlyejmë kontributin e paçmuar, si rrallë tjetër, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, për njohjen e Kosovës nga shumë shtete ku ai u angazhua personalisht, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si edhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA, por dhe atyre shqiptaro-amerikane në përgjithësi.

Kjo nuk është vetëm një humbje e rëndësishme, por një mungesë që do ta ndjejmë përgjithmonë.

Eliot Engel ishte nga ata amerikanë, që jo vetëm bënte atë që thoshte por madje shumë më tepër dhe gjithmonë me modesti. Ndaj kjo e bënte shumë të respektueshëm madje dhe nga kundërshtarët e tij.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit të dashur shqiptaro-amerikan, që e mbështetën aq shumë dhe zëri i të cilëve ai u bë edhe në Kongres.

Të prehet në paqen e merituar!


Lajmi kryesor:

Kongresmeni amerikan Eliot Engel ndërroi jetë, Begaj: Mik i Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar