Debati në emisionin Studio Live në Report TV për ish-presidentin Ilir Meta, i cili humbi betejën për liri në Gjykatën Kushtetuese dhe do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, nisi me qëndrime diametralisht të kundërta mes avokatit Romeo Karaj dhe analistit Albatros Rexhaj dhe përfundoi me largimin e këtij të fundit nga studio.
Çështja e nxehtë në diskutim kishte të bënte me paraburgimin e gjatë të Metës, akuzat për korrupsion dhe mënyrën si po vepron drejtësia shqiptare ndaj zyrtarëve të lartë.
Që në nisje, Karaj mbajti një qëndrim të fortë, duke e konsideruar të përsëritur narrativën e Metës për arrestim politik dhe duke akuzuar atë për strategji për ta çuar çështjen në Strasburg.
“Unë mendoj që në fillim, jo vetëm Meta por e gjithë rradha e politikanëve të arrestuar për korrupsion e shpërdorim detyre, gjithmonë kanë ngritur narrativën e arrestimit politik. Tek ata shoh strategjinë juridike të dërgimit të çështjes sa më parë në Strasburg duke menduar se Strasburgu nuk e bën gjumin rehat nëse hajdutët e politikës shqiptare arrestohen apo jo, ndërsa ne na kanë dhënë një detyrë funksionale në kapitujt 23 dhe 24 që të mbarojmë punë me ta dhe mendoj që jemi të vonuar.”
Karaj përmendi edhe emra të tjerë që, sipas tij, duhet të ishin pjesë e hetimeve:
“Bashkë me Metën duhej të ishin edhe nja 7-8 vetë të tjerë, përfshirë Berishën, pa inaktivitetin apo dakordësinë në heshtje të tij, bashkë me të Metës nuk mund të merrej vendim i ERE-s i 7 dhjetorit të 2010-ës që në një vit ka dëmtuar të ardhurat e shtetit shqiptar me 35 milionë euro. Këtë vendim të ERE, dy vjet më parë, Meta, në dyert e SPAK, e ka konsideruar një vendim të jashtëligjshëm në kundërshtim me interesat e shtetit shqiptar. Kryetari i komisionit të ERE, bashkë me anëtarët e votuar nga parlamenti, duhej të ishin pjesë e personave të akuzuar. Ata janë direkt autorë që kanë ligjëruar një vullnet të paligjshëm politik. Janë edhe 3 personazhe interesante të politikës çeke, drejtuesit e CEZ Group në Pragë dhe drejtuesit e CEZ Shpërndarje në Shqipëri. Ne duam të shkojmë në Europë, na kanë vënë korrupsionin kusht dhe kemi rastin më të mirë të themi që po shkojmë dhe hajde ta zgjidhim” tha ai
Karaj pati një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj asaj që ai e quajti drejtësi të pjesshme:
“Nëse vijojmë me këto hetime të ngushtuara, është më mirë ta nxjerrim Metën sepse nuk ka kuptim që të bëjmë drejtësi sa për sy e faqe. Njerëz të tillë kanë bërë pasuri të mëdha dhe ankohen që s’kanë para për të paguar garancinë e daljes me kusht. Mendoj që kjo estradë që na vjen keq për Metën duhet të marrë fund. Keq duhet të na vijë për veten. Për të bërë një ndëshkim siç duhet që të bëhet mësim për të tjerët.”
Në anën tjetër, Rexhaj mbajti një linjë krejt tjetër, duke u fokusuar te të drejtat e njeriut dhe standardet demokratike, sepse sipas tij, drejtësia sot vetëm po burgos njerëz:
“Nuk mund ta tërheqësh zvarrë në atë mënyrë. Po bëhen dy vite që Meta është në paraburgim dhe tani në fund të prillit do të fillojë gjykimi në themel. Qëndrimi në paraburgim për një kohë kaq të gjatë është problematik. Kudo në çdo vend demokratik është problematik. Kush po e pengon drejtësinë të kryejë punën e vet? Sot, merr këdo që do dhe e fut në burg. Kë të dojë i fut në burg" tha ai.
Rexhaj ngriti shqetësimin se paraburgimi po përdoret si formë ndëshkimi ndaj Metës dhe jo si masë sigurie:
“E keqja e kësaj që po ndodh është se paraburgimi është kthyer në një formë dënimi. Gjykata Kushtetuese duhet të merret me të drejtën themelore të njeriut. Në Evropë standardi i paraburgimit është 4 muaj.”
Rexhaj theksoi gjithashtu se sjellja e Metës nuk duhet të ndikojë në mënyrën si sillet shteti:
“Sjellja e Metës ndaj drejtësisë është irelevante. Pavarësisht si sillet pala tjetër, shteti duhet të sillet si shtet. Drejtësia nuk e shpëton demokracinë në Shqipëri. Demokracinë e shpëton balanca e pushteteve.”
Kjo pikëpamje shkaktoi acarim tek avokati Romeo Karaj i cili ndërhyri duke insistuar se drejtësia është thelbi i çdo çështjeje dhe i çdo shteti të së drejtës dhe se paraburgimi në rastin e shkelësve si Ilir Meta është i justifikuar.
Nga argumentat politikë, debati kaloi në cinizëm deri sa Rexhaj, i pakënaqur me ndërprerjen e Karaj, u çua dhe u largua nga studio.
Komente










