Ndarja nga jeta e Moikom Zeqos/ Ruçi: Erudit i rrallë, enciklopedi e gjallë! Meta: Veprat e tij të paharrueshme! Basha: Basha: Lamtumirë mjeshtër i letrave

Ndarja nga jeta e Moikom Zeqos/ Ruçi: Erudit i rrallë, enciklopedi e gjallë! Meta: Veprat e tij të paharrueshme! Basha: Basha: Lamtumirë mjeshtër i letrave

TIRANË- Krerët e larta të politikës shqiptare kanë dërguar mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, i cilësuar si një ndër zërat e më të rëndësishëm të kulturës sonë kombëtare. Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e cilëson Zeqon si një personalitet erudit  i rrallë dhe një enciklopedi e gjallë.

Një mesazh ngushëllimi për familjarët në këto ditë të vështira, ka pasur edhe presidenti Ilir Meta, i cili lartëson figurën e Zeqos për kontributin e dhënë për vendin tonë, teksa thekson se veprat e tij nuk do të harrohen.

Ndërkohë, kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka vlerësuar Moikom Zeqon si eruditi i letrave shqipe, por për kontributin e tij si politikan, duke thënë se është model i politikani serioz dhe shumë aktiv.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:57
‘Pasioni i madh të dy na fryn, na djeg e na prish mëndtë’, poezia e rrallë për Moikom Zeqon nga Dritëro Agolli

Vajza e shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli ka postuar një prej shkrimeve të babait të saj kushtuar të ndjerit Moikom Zeqo. Pas një lufte të gjatë disavjeçare, me sëmundjen e rëndë të leucemisë akute, mjeshtri i fjalës së lirë, u shua mëngjesin e 15 qershorit, në moshën 71-vjeçare.

Pasioni dhe shija
Mikut tim, poetit Moikom Zeqo

Pasioni i madh të dy na fryn,
Na djeg e na prish mëndtë:
Çdo gjë që digjet bëhet tym,
Po tymi s’është i njëjtë.

E madhe bota, pa dyshim,
E bukur dhe e rëndë,
Por është e bukur, miku im,
Kur s’ka asgjë të njëjtë.

Vërtet u dogjëm unë e ti
Si djaj e si të shënjtë;
Çdo gjë që digjet bëhet hi,
Po hiri s’është i njëjtë.

Besoj dy hiret i provon
Dinaku i madh Shën Pjetër:
“Të dy i lindi një pasion,
Po paskan shije tjetër”...

Dritëro Agolli

Ora 13:59
Basha: Lamtumirë Moikom Zeqo, mjeshtri i letrave dhe historisë shqiptare

Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka vlerësuar Moikom Zeqon si eruditi i letrave shqipe, i cili i ka lënë vendin vepra që nuk do të harrohen. Basha e ka vlerësuar Zeqon edhe për kontributin e tij si politikan, duke thënë se është model i politikani serioz dhe shumë aktiv.

"Moikom Zeqo, eruditi i letrave shqipe u nda sot nga jeta pas një sëmundje të rëndë, duke lënë pas një vepër të lexuar dhe të vlerësuar nga shqiptarët anekënd  botës.

Me seriozitetin, pasionin për shkencën dhe kulturën, autori i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, mbi historinë e artit, si dhe skenarëve për filma, do të mbahet mend ndër breza si një nga personalitetet e spikatura të kulturës sonë kombëtare. Angazhimi i tij në politikë si deputet i PS ishte dhe mbetet modeli i politikanit aktiv dhe serioz për përfaqësimin e qytetarëve.

Ngushëllimet e mia shkojnë sot për  familjarët e Moikom Zeqo, miqtë dhe shokët e tij që do ta kujtojnë gjithmonë me mall dhe respekt mjeshtrin e letrave  dhe historisë shqiptare. U prehtë në paqe", shkruan Basha.

Ora 09:31
Ndarja nga jeta e Moikom Zeqos/ Meta: Personalitet njerëzor dhe intelektual i jashtëzakonshëm! Veprat e tij të paharrueshme

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të Moikom Zeqos, i cili ndërroi jetë ditën ditën e sotme. Meta e vlerëson Zeqon si një personalitet të shquar, duke theksuar se kujtimi dhe veprat e tij do të mbeten të paharruara

"Thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të Moikom Zeqos, mendimtarit të vyer, eruditit, zërit të fuqishëm, penës së fortë dhe poliedrike, intelektualit të angazhuar e të përkushtuar ndaj së mirës publike e interesit kombëtar, dhe njërit ndër shkrimtarët më prodhimtarë të letërsisë sonë.

Me një personalitet njerëzor dhe intelektual të jashtëzakonshëm, dishepull i mirësisë, i miqësisë dhe humanizmit, i përkushtuar me fisnikëri ndaj virtytit dhe lirisë, përmes një jete të mbushur me kontribute të shumta e të çmuara, si shkrimtar, studiues, poet, arkeolog, politikan, eseist dhe si filozof, trashëgimia tepër e vyer akademike dhe kulturore që la pas Moikomi do shërbejnë përherë si piketa të rëndësishme në kulturën dhe historinë e së ardhmes të kombit tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta Lidës së dashur, fëmijëve, të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve të panumërt, për këtë humbje të madhe që le pas shumë dhimbje. Kujtimi dhe veprat e Tij do të mbeten të paharruara", shkruan Meta.

Ora 09:23
Ndarja nga jeta e Moikom Zeqos/ Ruçi: Erudit i rrallë, enciklopedi e gjallë

Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish- deputetit, shkrimtarit, shkencëtarit dhe publicistit të shquar Moikom Zeqo.

“Me trishtim të thellë mësova ndarjen nga jeta të ish deputetit, shkrimtarit dhe shkencëtarit dhe publicistit  të shquar Moikom Zeqo.  Mikom Zeqo ishte një personalitet erudit  i rrallë, një enciklopedi e gjallë. Shkrimtar, historian, arkeolog, studiues e kritik letrar, përkthyes dhe publicist, mbi të gjitha një intelektual i shquar dhe patriot i madh. Ai i shërbeu Shqipërisë dhe kulturës shqiptare deri në ditët e fundit të jetës, me një dashuri e përkushtim të pashoq. Mikom Zeqo luftoi me stoicizëm ndaj sëmundjes për një kohë të gjatë, duke mos e ndërprerë për asnjë çast kontributin e tij intelektual për Shqipërinë. Mikom Zeqo u zgjodh dhe shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën 1992-1996 dhe u shqua për thellësinë e mendimit, largpamësinë e vizionit, urtësinë për dialog, përkushtimin për qytetarët dhe angazhimin sipëror për kulturën dhe çështjet e mëdha të shoqërisë dhe të kombit shqiptar. Gjithë erudicionin e tij Moikomi ua kushtoi dhe ua shpërndau Shqipërisë dhe shqiptarëve. Lamtumirë Moikomi ynë i dashur!”, shkruan Kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, në mesazhin e ngushëllimit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë

Planet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Gazë