Foto: Rexhep Qosja

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur ngushëllimët për ndarjen nga jeta të akademikut, studiuesit dhe shkrimtarit të shquar Rexhep Qosja

Përmes një njoftimi zyrtar Akademia e Shkencave thekson se ndarja nga jeta e Qosjes është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar.

Në reagim theksohet se Qosja ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX-XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.

Reagimi i Akademisë së Shkencave:

Me dhimbje të thellë kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton se ka ndërruar jetë akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i shquar Rexhep Qosja, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar. Akademia e shkencave e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjarët, miqtë dhe kolegëve për ndarjen nga jeta e akademikut të shquar shqiptar Rexhep Qosja. Rexhep Qosja ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Mali të Zi.

Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959-n mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960-n u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës, ku u diplomua më 1964-ën. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 u specializua për shkencën e letërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969-n u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit. Pas doktorimit, më 1972-shin, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare “Jeta e Re”. 

Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar shumë recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.”, etj. Është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Karrierën akademike e zhvilloi si studiues dhe profesor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Punoi si drejtor i Institutit Albanologjik për disa mandate. Ai ishte një nga figurat qendrore të studimeve albanologjike. Një nga mendimtarët më të mëdhenj shqiptarë të shekullit XX–XXI, autor i dhjetëra veprave në kritikë letrare, histori, romane e publicistikë.

Akademik Rexhep Qosja u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në fushën e letërsisë, kritikës letrare, historiografisë dhe publicistikës shqiptare. Ai ishte një zë i fuqishëm i mendimit kritik dhe një mbrojtës i palodhur i çështjes kombëtare. Krijimtaria e tij letare dhe shkencore përfshin vepra në fusha të ndryshme si kritikë letrare, studime historike dhe kulturore, romane dhe ese, publicistikë politike dhe kombëtare, shkrime dhe analiza mbi identitetin kombëtar shqiptar.

Ndër veprat më të njohura të akad. Qosjes  janë  “Historia e letërsisë shqipe”, “Populli i ndaluar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”.

Është vlerësuar me çmime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare. Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës (1968); me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972-shin dhe 1974-ën dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë - “7 Korriku”, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt".

Ai mbetet një nga mendimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të shekullit XX–XXI, si mbrojtës i identitetit kulturor dhe gjuhësor shqiptar dhe si një zë i rëndësishëm në debatet politike dhe kombëtare. Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja është një humbje e madhe për kulturën, shkencën dhe kombin shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë do ta kujtojë gjithmonë akademik Rexhep Qosjen si një mendje të ndritur, një zë të fuqishëm dhe një personalitet të pazëvendësueshëm të kulturës sonë kombëtare.

Emri dhe vepra e tij do të jetojnë përherë në kujtesën shkencore, letrare dhe shoqërore mbarëkombëtare.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.


Lajmi kryesor:

Lamtumirë Rexhep Qosja, akademiku i njohur shuhet në moshën 90-vjeçare! Familja: La amanet për ceremoni private! Politika: Shqiptar i rrallë