Tiranë- Një 22-vjeçar është arrestuar nga policia e kryeqytetit duke transportuar pako me fishekzjarre dhe kapsolla, të dyshuara të kontrabanduara,
I riu u kap nga blutë në bulevardin “Bajram Curri”.
Lëndët piroteknike dhe makina u sekuestruan si provë materiale.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të zbatimit të planit të masave, të hartuar në prag të festave të fundvitit, me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të posedimit ose transportimit të lëndëve piroteknike, me qëllim shitjen e kundërligjshme, si pasojë, të rrezikshme të tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bulevardin “Bajram Curri”, ndaluan për kontroll, automjetin që drejtonte shtetasi S. M., 22 vjeç.
Nga kontrolli në automjet u gjetën pako me lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe kapsolla) që do të shiteshin në kundërshtim me kriteret. Gjithashtu, 22-vjeçari nuk dispononte fatura blerjeje për këto mallra.
Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me rastin, 22-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”. Kontrollet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.









