Historia e nderit dhe e besës shqiptare vjen në kinema për publikun në Tiranë. Filmi “Nderi”, me regji të Nikola Vukçeviç do të vijë premierë mbrëmjen e së mërkurës, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm nga Lufta e Dytë Botërore dhe një histori që lidh kulturat në Ballkan.
I bazuar në ngjarje reale, filmi rrëfen historinë e një fëmije ortodoks malazez që, duke ikur nga forcat naziste, gjen strehë në familjen e një shqiptari mysliman në trevën e Gucisë. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje dramatike: të dorëzojë fëmijën apo ta mbrojë atë në emër të Besës shqiptare, duke rrezikuar jetën e gjithë familjes.
“Është një histori për njerëzillëkun në kohë lufte. Nuredin Doka rrezikon gjithçka për të mbrojtur një fëmijë të panjohur, për shkak të kodit të nderit. Besoj se kjo histori i bën krenarë shqiptarët dhe mund të vlerësohet shumë edhe këtu në Shqipëri.”, tha regjisori Vukçeviç, i pranishëm në Tiranë, për “Report TV”.
Projekti filmik sjell një kast të njohur aktorësh shqiptarë, me Edon Rizvanollin në rolin kryesor, si dhe Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja dhe Selman Jusufi.
“Kemi privilegjin e madh të punojmë me disa aktorë të shkëlqyer që flasin shqip. Kemi edhe fëmijë që flasin shqip në role shumë të rëndësishme në këtë film. Gjuha që flitet në film është shqipja e Malit të Zi. Në Shqipëri do të jetë shumë ekzotike të dëgjosh gjuhën tënde të vjetër.”, tha Vukçeviç.
“Nderi”, me titull origjinal “Obraz”, është kandidatura zyrtare e Malit të Zi për Oscar në edicionin e 98-të dhe ka fituar 20 çmime ndërkombëtare në mbi 30 festivale, duke u vlerësuar si një ndër prodhimet më të rëndësishme të kinemasë së këtij vendi.
“Kemi nderin që në emër të ambasadës së Malit të Zi në Tiranë t'ju urojmë mirëseardhjen në premierën e filmit ‘Nderi’. Është një moment i veçantë për ne që ky film i vlerësuar me çmime prezantohet për publikun shqiptar.”, tha Esmira Beqoviq, përfaqësuese e Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë.
Më herët, projekti ka gjetur mbështetje në ‘Balkan Film Market’ në Tiranë, ku është bërë i njohur për publikun shqiptar që nga fazat e tij të hershme të realizimit.
“Nderi” ka pasur sukses të madh edhe në Mal të Zi, me mbi 20 mijë bileta të shitura. Filmi do të vijojë të shfaqet për publikun në Tiranë, ndërsa më tej do të shkojë sërish në Beograd dhe në Podgoricë.
Komente










