Edhe pse fizikisht mungesa e Hytbiut do të ndihet shumë në të ardhmen nga të afërmit dhe miqtë e shumtë, vepra e tij, qindra piktura e basorelieve, statueta, etj të shpërndara pothuajse në çdo familje shqiptare të Torontos, Montrealit, dhe qyteteve të tjera përreth tyre, do të mbajë gjallë përjetë kujtimin dhe nderimin për artistin e shquar.
Hytbiu u lind dhe u edukua në një familje atdhetare në qytetin e Lushnjes, të zbritur nga Devolli vite më parë.
Si kreu Liceun Artistik të Tiranës, në degën e arteve figurative, studimet e larta i vazhdoi ne Institutin Pedagogjik te Shkodrës në degën e Matematikë-Fizikës ku njohu dhe u lidh me studenten e mësuesisë Teuta Grimci, dashuria e madhe e të gjithë jetës së tij. Në vazhdim jep matematike fshatrave te Lushnjës dhe Shkodrës.
Pikërisht ne Lushnjë, i mbështetur dhe inkurajuar miqësisht dhe për së afërmi nga artistët e mirënjohur Maksim Bushi dhe Faslli Haliti nis e merr udhe për mbarë krijimtaria artistike e Hytbi Tarellit, e cila prezantohet me sukses në disa prej ekspozitave te arteve figurative të qytetit gjatë viteve 70-të të shekullit të kaluar.
Me transferimin për të punuar bashkë me të shoqen fshatrave të rrethit, Shkodra, ky djep i arteve dhe kulturës shqiptare, "e adaptoi" shpejt talentin e ri që ende ishte në hapat e parë të formimit të tij artistik. Këtu në qytetin e ikonave të artit, mjeshtrave Kolë Idromeno, Zef Kolombi e Danish Jukniu vazhdoi rrugëtimin e gjatë krijues peneli e dalta e artistit te ri.
Duke patur gjithmonë pranë skulptorët e afirmuar shkodranë Skënder Kraja dhe Ashim Kruja, Hytbiu që në atë periudhë shfaqi dhe mbajti në zemër për gjatë gjithë jetës së tij dashurinë për peisazhin e bukur shqiptar dhe figurat e shquara te historisë tonë kombëtare. Që mbetën edhe këtu në Kanada, për mbi dy dekada, temat e preferuara të krijimtarisë së tij.
Ardhja si emigrant, bashkë me familjen, në Toronto ishte një moment tejet i vështirë për artistin e formuar tashmë. Nevojat ekonomike për mbijetesë të familjes dilnin në plan të parë. Kërkohej një qasje e re ndaj tregut të punës. Në një vend të zhvilluar, si Kanadaja, metri kryesor që mat vlerat profesionale të kujtdo është korrektesa dhe cilësia e produktit të punës. Kështu shumë shpejt Hytbiu afirmohet si dekorues artistik.
Elementet arkitektonikë dekorativë si kapitelet dhe kolonat e gdhendura me një bukuri mahnitëse në kopshtet dhe sallonet e hyrjeve të vilave të shtrenjta, apo afresket dhe muralet tematike të pikturuara në mjedise tregtare dhe banimi e bënë të njohur dhe të kërkuar nga të gjithë artistin shqiptar. "U hapën" kështu njëra mbas tjetrës edhe shumë dyer të tjera. Pranohet anëtar i Shoqatës së Krijuesve të Arteve Figurative të Kanadasë.
Punimet e tij pranohen dhe reklamohen në ekspozitat më të rëndësishme të qytetit. Hap ekspozitën e parë personale. Merr porosi për krijime origjinale nga institucione edukative dhe arsimore të Torontos dhe disa qytezave te Ontarios, etj. Një ndër to është basorelievi i madh kushtuar figurës emblematike të Nënë Terezës, i ekspozuar shume bukur në oborrin e shkollës publike me të njëjtën emër në qytetin Markham të Ontarios.
Por, malli për atdheun dhe historinë e traditat patriotike të tij, janë të ngulitura thelle në vetëdijen krijuese dhe artistike të Hytbi Tarellit. Ai jeton me to gjithë kohës. Edhe kur gdhend apo pikturon porositë e komisionuara, mezi pret të kthehet në shtëpi për t'i dhënë shpirt e jetë gipsit e baltës që vetëm duart e tij të arta kanë magjinë ta bëjnë. I gjithë kati i nëndheshëm i shtëpisë pak e nga pak shndërrohet kështu në studion krijuese të tij. Janë aty dhe "i bëjnë shoqëri" çdo natë bocetet dhe statuetat e Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Ismail Qemalit, Shote Galicës, Adem Jasharit, etj.
Pas çdo vizite në atdhe dhe Kosovë ndër vite pasurohet galeria e krijimeve të tij. Për vlerat atdhetare dhe artistike që ato kanë, rritet me shpejtësi kërkesa për t'i patur ato në mjediset familjare të shqiptarëve. Një nga rrugët më efikase për të mbajtur gjallë dhe përcjellur tek brezi i ri dashurinë për atdheun e largët.
Kjo e bën shpejt Hytbiun, që në vitet e para të emigrimit, një figure publike shumë të respektuar te komunitetit shqiptar te Kanadasë. Kryesia e Bashkësise Shqiptaro-Kanadeze, ku është zgjedhur, gjen tek ai "derën ku mund të falet" për çdo hall e nevojë që lind. Janë të panumërta ndër vite logot që ai krijon për prezantimin e vetë Bashkësisë, ashtu si edhe të aktiviteteve kulturore dhe artistike që ajo organizon. Për të gjitha këto, veç respektit te pamatë që mjeshtri Tarelli gëzon ne komunitet, në
Majin e këtij viti Komiteti Shqiptaro-Kanadez i Ekselences (ACE) e nderon atë me vlerësimin më të lartë "Për arritjet e jashtëzakonshme në Artet Figurative për Vitin 2016".
Kush pati fatin ta njohë nga afër Hytbiun nuk mund të mos dallonte tek ai njeriun e mirë, të dashur e të sinqertë, me zemrën plot për të tjerët. Ashtu si edhe familjarin model. Që ruan dhe përsos më tej traditat më të mira të familjes shqiptare. Mirërritjen dhe mirëedukimin qytetar të fëmijëve dhe pasardhësve të tyre. Dashurinë dhe respektin e ndërsjellë reciprok përgjatë gjithë jetës.
Është si një shenje e fatit që i biri i Hytbiut ka trashëguar talentin e tij. I udhëhequr nga shembulli i të atit, si edhe i arsimuar në një prej shkollave më të mira në Kanada, Akademinë e Arteve të Torontos, Elisi është tashmë një pejsazhist i mirënjohur për publikun artdashës të qytetit. Një pjesëmarrës aktiv në disa prej ekspozitave më të njohura të Torontos, që premton shumë në të ardhmen.
Humbja e papritur dhe e parakohshme e artistit Hytbi Tarelli ka prekur pafund familjen e tij dhe shqiptarët e Torontos. Ai do të kujtohet përgjithmonë nga e shoqja Teuta, fëmijët Eriona dhe Elisi, mbesat e tij të dashura, Aria dhe Adria. Ashtu si edhe nga i gjithë komuniteti shqiptaro-kanadez për shumëçka që bëri mirë në jetë.
*Kolegji i Mësuesve të Ontarios Toronto – Kanada
Lushnja
Në Lushnjë, i mbështetur dhe inkurajuar miqësisht dhe për së afërmi nga artistët e mirënjohur Maksim Bushi dhe Faslli Haliti nis e merr udhe për mbarë krijimtaria artistike e Hytbi Tarellit, e cila prezantohet me sukses në disa prej ekspozitave te arteve figurative të qytetit gjatë viteve 70-të të shekullit të kaluar.
Kanadaja
Punimet e tij pranohen dhe reklamohen në ekspozitat më të rëndësishme të qytetit. Hap ekspozitën e parë personale. Merr porosi për krijime origjinale nga institucione edukative dhe arsimore të Torontos dhe disa qytezave te Ontarios.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com