Nderim për studiuesin dhe
krijuesin e Tropojës Avdyl Syla

Nderim për studiuesin dhe<br />krijuesin e Tropojës Avdyl Syla
Krijuesit e Tropojës,në orët e mëngjesit të ditës së sotme,u tronditën nga një lajm i trishtë.Ata humbën studiuesin,krijuesin dhe publicistin Avdyl Sulaj.
 
Avdyl Sulaj u lind më 1 korrik 1945 në fshatin Begaj të Tropojës. “Ju keni nji biografi të jashtëzakonshme për të cilën kam mjaft respekt e simpati.” (Hans-Joachim Lankscsh).
 
Ka punuar afro 50 vjet në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme, si bujk e bari; ushtar e karrocier në ushtri; buldozerist, skrepist, mekanik, saldator, axhustator e brigadier i makinerisë së rëndë në ndërmarrjet e bonifikimit të rrethit të Hasit e të Tropojës; nëpunës, kryeredaktor i gazetave “Shkëlzeni” e “Rrezja e Shkelzenit”, mësues, bibliotekist e drejtor biblioteke, poet, prozator, studiues e publicist etj. Veprimtarinë botuese e ka nisur në vitin 1979, në publicistikë.

Në rrjedhën e këtyre viteve ka botuar mjaft  libra të zhanreve të ndryshëm, sikundër janë: Europa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Publicistikë, Tiranë 1999; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës I, Tiranë, 2000; Visare gjuhësore-kulturore nga Malësia e Gjakovës II, Tiranë, 2003; Kristale alpine, Poezi, Tiranë, 2006;  Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009; Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë 2012; Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013; Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula, Tiranë, 2013. Ai ka në dorëshkrim dhe disa libra të tjerë me poezi, prozë, folkloristikë etj.

Muza e tij ishte në kulmin e krijimit.Para disa kohësh botoi dy libra me tregime dhe publicistikë.

Ai la pas një emër të mire për banorët e qytetit “Bajram Curri”,për komunitetin e krijuesve dhe shumë vepra studimore e letrare.
 
Pëllumbat mbi Gjakovë
Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj
nën shatërvanin e rrezeve mëngjesore
lodrojnë me reflekset diellore
ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.
 
Një  tufë pëllumbash të zinj e të bardhë
Njëri - tjetrin ndjekin fluturim
në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim
një simfoni bukurie luajnë radhë - radhë.
 
Këtë shfaqje të hyjnishme
E kundrojnë një tufë fëmijë.
E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:
- O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!
 
(Gjakovë, 15 maj 2014)
 
Ura ylberore
Dy shpatmale të një lugine
ballë për ballë prore
mrekullisht i bashkoi këtë mëngjes
ura shtatëngjyrëshe ylberore.
 
 
Fjongoja diellore
Një re flokëbardhë
U ul lehtas në majëmal.
Dielli e bukuroi madhërishëm
Me një fjongo rrezear.
 
U bënë shtatë net
(U bënë shtatë vjet).
Ku je e dashur?
Je bërë floçkë,
po lahesh në ndonjë liqen?
Je bërë zanë mali në bjeshkë?
Po garon me të Bukurën e Dheut?
 
T’i thaj shtatë liqene?
T’i çaj shtatë male?
Në kalë të bardhë të legjendave
të vij e të marr sa më shpejt?
 
 
 
Eja e dashur, eja!
Eja, e dashur, eja!
Nga kudo që të jesh, eja!
Në ndalesë të parë të dashurisë
do të pres.
Me vellon e ëndrrave rinore
do të vesh.
 
Rrugën do ta shtroj
me mozaikun e kujtimeve.
Për dekor të kësaj skene
Do të marr ngjyrat e ylbereve,
të mëngjeseve, të agimeve.
 
Për këngë dhe melodi
do u bëj ftesë pëllumbeshave,
thëllëzave e bilbilave.
 
Udhës mbi ne,
do fluturojnë dallandyshe,
gushkuqë dhe trishtila.
 
Deri në muzg do na përcjellë
dielli rrezear.
Hëna fytyrëpraruar
do të na presë te dera
e folezës së ëndrrave
e të dashurisë sonë.

shkrimi

shkrimi

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri