Nderimi pas vdekjes/ Mjeshtri Kodra shpallet misionar dhe ambasador i paqes në SHBA

Nderimi pas vdekjes/ Mjeshtri Kodra shpallet misionar dhe ambasador i paqes në SHBA

Kujtimet me piktorin e madh shqiptar në Itali. Çfarë më ka rrëfyer gjatë një interviste ne studion e tij dhe apeli për paqen në intervistat me gazetarët italianë kur e pyesnin për çështjen e Kosovës gjatë luftës

Duke u mjaftuar me jetën e përditshme dhe asaj që na rrethon, harrojmë t’ju referohemi njerëzve, imagjinata e të cilëve  është e thellë,  e lartësuar  dhe e  jashtëzakonshme.

Është koha kur njerëzimi e ka humbur drejtpeshimin, fillin e arsyes, e aq më shumë largohet prej të lartësuarës. Harron për ca kohë se në vendin e tij apo në botë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë njerëz fisnikë  e të arsyeshëm që  aftësitë dhe artin e tyre e venë  për të lartësuar ndjenjën e shpresës së mirë, të bashkëpunimit, të solidaritetit,  midis njëri-tjetrit për një jete më dinjitoze.

Artistët dhe humanë të përmasave, si Ibrahim Kodra, do të vlerësohen gjithmonë, mendimet dhe kujtimet për ta janë të pashtershme. “Unë kërkoj larg në horizont/ praninë e jetës/pafundësinë…/ lëvizjen…..” 

Pikërisht, një javë në parë më 13 Prill, 2019; Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP), Akademia e Paqes Globale (AUGP) të Kombeve të Bashkuara, Misioni Diplomatik Amerikan për Paqe Botërore (ADMËP), i Shoqërisë Diplomatike Shën Gabriel (DSSG) dhe Universitetit të Kombeve të Bashkuara për Paqe Globale (UNUGP), i akorduan Mjeshtrit Ibrahim Kodra, Titullin e Merituar “Ambasador nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet” (Pas vdekjes). Nderimi iu bë me motivacionin si Piktor madh i njohur ndërkombëtarisht në shërbim të Paqes Sociale dhe Prosperitetit Social. Për angazhimin e madh dhe kontributin e çmuar në Arte, për frymëzimin e patriotizmit dhe bashkëveprimit ndërkomunitar të paqes.

I dekoruar me urdhrin Nderi i Kombit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si Ambasador i Kulturës Shqiptare, Si misionar Global i Paqes dhe Ambasador Nderi i DMPP, si filantrop, e udhëheqës i vetësakrifikuar dhe nxitës i misioneve që sjellin paqe dhe begati për gjithë njerëzimin, Ibrahim Kodra tashmë është Luftëtari i Paqes. Për shumë vite ai ka kontribuar në paqen sociale në Shqipëri dhe në mbarë botën, duke ofruar mbështetje sociale, edukative dhe humanitare. Ka dhënë kontribute në fushën e artit, edukimit, patriotizmit, lirisë nga diktatura. Nderimi iu bë me konsideratën më të lartë nga Guvernatori DMPP, Dr. Shefki Hysa; Krishan, Ambasador Nderi I ADMËP, Guvernator Ndërkombëtar i AUGP;  Ambasador Prof. dr. Madhu. kryetar I AUGP-Patriak. Titulli i nderit,  iu dha piktorit të madh me propozimin e Kryetarit të shoqatës kulturore “ Ibrahim Kodra të Ishmit z. Lulzim Bega. Ishin të pranishëm, përveç titullarëve të mësipërm edhe, Dr. Dylbere Dika, Drejtore e Përgjithshme e DMPP, Dr.Kristo Goci, Zëvendëskryetar i Komitetit Shtetëror te Minoriteteve, Prof. Dr.Sulejman Abazi Gjeneral i Paqes, Zotëria Asllan Mazreki, Gjeneral i Paqes, Kolonel Zaho Golemi, si dhe Misonarët e Paqes: Dr. Idriz Balani, Veli Myftari, piktori Sulejman Prenjasi dhe shumë personalitete të Artit, Kulturës dhe Shoqërisë Civile Shqiptare! Bashkëfshatarë dhe intelektualë të nga Durrësi, Ishmi dhe Tirana, miq dhe të afërt të Mjeshtrit Kodra.

Tek dëgjoja motivacionin gjatë të dhënies së titullit, mendimi më fluturoi tek korridori i thjeshtë i Mjeshtrit, ku mbi një raft të gjatë mbërthyer në mur si sergjenët e shtëpisë së Ishmit, ishin radhitur trofetë dhe çmimet pa fund që mjeshtri i madh i përfshirë në enciklopedinë botërore, si një nga 30 piktorët më të mëdhenj të botës, i quajtur nga kritika e lartë botërore si ‘’Pikaso i gjallë’’.

Më shumë se 30 shtete kanë bërë filma dhe dokumentarë për Mjeshtrin që është “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë dhe botës, si në Gjermani, France e deri në Tokio. Çmime e trofe pa fund nga e gjithë bota. Midis tyre edhe medalja “Milanezi i Artë’’ që ia dorëzoi Kryetari i bashkisë, Gabriele Albertini, në konkursin kombëtar për arkitekturën. Mjeshtrin, studentin e quajtur “Ylli i Breras” në Akademinë ku studioi në Milano, e preokuponte gjithçka. Edhe betonizimi i qyteteve në të cilat është shumë vështirë të banohet.

Rrëfimi i Ibrahim Kodrës për vendlindjen

“-Kam lindur në Ishëm unë. Jam ishmak. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e Detit Adriatik, deri në Ulqin e më tej. Është vend i bukur apo jo. Kështu fillonte biseda dhe prezantimi me të panjohurit qofshin ata artistë të mëdhenj apo personalitete të larta të vendit e të huaja, miqve dhe mikeve të tij të dashura, të cilave u fliste për nënën, Ishmin, rakinë, Arbërinë dhe Kalanë madhështore të Heroit Legjendar Skënderbeut.

Ishte mik i ngushtë i Pikasos, i cili bënte pjesë në sërat e larta të elitës Franceze, ndërsa Kodra vinte nga një vend i varfër, i cili u pushtua  nga fashizmi e nazizmi e më pas nga komunizmi.

“-Pikaso përdorte shpesh tridimensionizmin, unë mendova teorinë time. Ku ka një vijë vertikale, duhet të mbështetet pa tjetër tek një vijë horizontale, pra kubizmin katërdimensional. Pasi në atë kohë u prezantua koha e konsumizmës në botë, e cila e la njeriun viktimë, kjo është anatema e atij civilizimi, njeriu është ‘’njeriu robot’’.”, më thoshte Kodra.

Mik me Pol Elyarin, Heminguein, Dino Buxatin, Gutuzon, Kuazimondon, e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerëz ë thjeshtë me të cilët kalonte kohë të gjata me ata dhe ju tregonte shumë herë për vendin e tij, për Shqipërinë.

“- Iu thosha se asht nji vend i bukur sa s`ka ma.”

Në Itali shkoi në një moshë shumë të re. Atje u pagëzua me fenë kristiane, por asnjëherë nuk e ndërroi emrin dhe mbiemrin e tij, as atëherë kur miqtë e këshillonin të përshtaste një emër arti, siç bëjnë artistët e mëdhenj. Ai nuk pranoi. Dhe vetë firma e Mjeshtrit ishte një art më vete.

“-Edhe fenë edhe emrin i kam për të qenë përbrenda identitetit tim.”-u thoshte shpesh miqve të tij.

Mjeshtri ishte një luftëtar i paqes, ashtu si thuhet në motivacion. Shumë tablo të tij janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit, Frederiko Garsia Lorka, ilustrime nga vepra e Brehtit, si “Homazh për Bertol Breht’’. Në  tablo shkruante shpesh në krye të tablosë, “Pace”. Gërmat e kësaj fjale kodifikonin shpesh pikturën e tij.

Ibrahim Kodra, një luftëtar i paqes sa ishte gjallë...

Ibrahim Kodra ishte një luftëtar i flaktë i çështjes kombëtare. Në morinë e gazetave dhe revistave, të shtypit të rëndësishme italian, sheh shkrime dhe intervista ku mjeshtri Kodra jepte mendime dhe vlerësime për shumë probleme kulturore, sociale dhe politike. Syri të zë një nga gazetat që ai ka afishuar në murin e studios. “Le Voce di Mantova. 1998” ( Zëri i Mantovës), ku me germa të mëdha kapitale boton thirrjen dhe apelin e Mjeshtrit, si një nga përfaqësuesit më të lartë të artit dhe qytetërimit shqiptar. Ai, i bën apel OKB-së, Presidentit të SHBA Z. Bill Klinton dhe Parlamentit Europian, që të ndërhyjnë urgjentisht për t’i dhënë fund operacioneve të vazhdueshme të spastrimit etnik në Kosovë, në mënyrë që të mbrohen dhe të ruhen vlerat njerëzore, etike, fetare, të një kombi që po sakrifikohet në altarin e egoizmit, të urrejtjes e të shpërdorimit të pozitës. Është një intervistë shumë interesante dhe e rëndësishme ..

Ai iu bëri thirrje të gjithë njerëzve dashamirës që të përpiqeshin me të gjitha mjetet në mënyrë që në Kosovë të kthehej paqja, liria, dhe drejtësia.

Mjeshtri Kodra i kërkoj komunitetit ndërkombëtar të impenjohet me të gjitha energjitë e veta për mbrojtjen dhe mbështetjen e identitetit historik, artistik dhe kulturor të një kombi, të cilin po e vë përfund barbaria, tmerri dhe terrori.

“-Po Zoti kur na krijoi tha: ‘’Unë ju kam krijuar për të jetuar e jo për të vdekur’’. Sërbët po i shkelin fjalët e Zotit, ata janë dhënë pas krimeve dhe shkatërrimeve, sepse e quajnë veten hyjni. Të tjerët s`janë veçse krijesa inferiore, skllevër që meritojnë të poshtërohen dhe tiranizohen.

Sllobodan Miloshevici nuk tregon asnjë interes për veçantitë dhe dallimet që karakterizojnë shqiptarët e Kosovës .”, thoshte Kodra.

Gazetari italian e  pyet Mjeshtrin, nëse është dakord për luftën e luftëtarëve të Kosovës. Ai ju përgjigj pa mëdyshje:

“-Po luftë për çlirimin ndaj një kriminaliteti të ri. Në Kosovë po eksperimentohet një tip i ri kriminaliteti në kërkim të kënaqësisë vrastare dhe egoizmit. Masakra e Reçakut është pasojë e këtij tipi të ri kriminaliteti që qëndron shumë larg ligjeve humane dhe hyjnore. Kushdo që gjymton, copëton dhe masakron kufomat, nuk është veçse një lloj i ri kanibali. Edhe për sa kohë popujt e civilizuar do të tolerojnë të tilla turpe! Sllobodan Milosheviçit i intereson vetëm që në Kosovë të ndajë bijtë nga baballarët dhe trupat nga kryet. Ai kërkon vetëm të përvetësojë të mirat e shqiptarëve, të shumëfishojë urrejtjen racore e të realizojë procese gjyqësore të cunguara.”

Gazetari i ‘’La Voce di Mantova”, e pyet përsëri, se në ç`mënyrë duhet të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar për t’iu dhënë fund krimeve që kryen në Kosovë.?

Mjeshtri, përgjigjet me vendosmëri:

“-Sot njeriu nuk është më një krijesë primitive, ai duhet t’i zgjidhë problemet nëpërmjet fjalës dhe diplomacisë. Unë gjithnjë kam luftuar  që Shqipëria të bëhet një komb neutral sikurse Zvicra. Sot këtë e dëshiroj edhe për Kosovën. Këto troje shumë shpejt do të përshkohen nga naftësjellës e gazsjellës që nga lindja do të çojnë energji deri në Detin Adriatik. Prandaj është emergjente që këto toka të mbeten neutrale e në këtë mënyrë të shmangin rreziqet që kërcënojnë Europën dhe botën mbarë.

Vetëm mbi këtë bazë mund të zhvillohet debati ndërkombëtar, që do të bëjë ë mundur pajtimin mes shqiptarëve dhe serbëve. Unë uroj që Kosova të fitojë lirinë që meriton, sepse ka një popull krenar për vlerat e tij, për kulturën dhe historinë e tij. Popujt e Kosovës kanë të drejtë të bashkohen e të jetojnë si një familje e madhe, e lirë dhe e pavarur.”, thoshte Kodra

Mjeshtri Kodra, viziton Kosovën ne vitin 2002, ku iu bë një pritje  jashtëzakonisht e mirë. - Kosovarët i dua shumë, janë trima dhe mikpritës, historia e Kosovës është e dhimbshme. E ëndërroj pavarësinë e saj, kam shkruar një vjershë (e reciton me lot ne sy: Shqipja flutroj dhe me krahët e saj në fluturim, shkroi në qiell emrin Liri dhe Arbëri.).

Humanizmi njerëzor e karakterizoi vazhdimisht, mbështeste studentët shqiptarë që studionin në shtetin fqinjë. Ndihmonte njerëz që nuk kishin mese të ushqeheshin. Dikur kishte ndihmuar tregtarë në hapjen e restoranteve, më pas kur ata nuk mundën t’ia kthenin nuk rebelohej, po dërgonte njerëz me firmën e tij të ushqeheshin falas atje. Ndihmoi dhe promovoi piktorë të rinj. Lartësoi pa rezerva dhe xhelozi, figura të larta të kombit, me të cilët krenohemi kudo ndodhemi.

Është mbresëlënëse dhe paharrueshme për qytetarët e Palermos, restaurimi i teatrit “Masimo”, atje ku u luajtën kryeveprat e Verdit e ato botërore. Pas diegies totale, Teatri u restaurua tërësisht me riprodhimin dhe shitjen e dymbëdhjetë tablove të tij “Muzikantët”. Ndaj kur u inaugurua teatri i ri. Kryetari i baskisë, Leoluka Orlando, e filloi me fjalën “Urime”. Kjo është fjala e Pagëzimit Shqiptar.

Pavarësisht çmimeve dhe dekorimeve të shumta nga mbarë bota, Mjeshtri Kodra vlerësonte mbi gjithçka, çmimet dhe vlerësimet që i bëheshin në vendin e tij, Shqipëri.

Ndaj vlerësim i bërë nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i njeh Ibrahim Kodrës vlerat e larta, humane. Ashtu si dhe theksonte dhe vetë Mjeshtri: “Arti është liri, sepse nëpërmjet tij në prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, të cilat janë armiq për çdo sëmundje. Arti na dhuron gëzimin e të jetuarit, na dhuron atë gjendje shpirtërore, pa të cilën ne nuk do të mund t’i bënim ballë ankthit dhe mllefit të përditshëm. Të kultivosh art, do të thotë të mbetesh i ri. Në përgjithësi, sekreti i të qenit në harmoni me jetën, është inteligjenca krijuese e aftë t’iu ofrohet të tjerëve me modesti, pa ambicie të shfrenuara dhe arrivizëm, që krijojnë vetëm strese dhe sëmundje.

Nga të gjitha këto fakte dhe vlerësime, ai është dhe poet. E pakrahasueshme poezia, “Unë Kërkoj.” Ku shpreh qartë karakterin e tij të veçantë të një artisti të madh. Ja një fragment i saj: “Unë kërkoj mekanizmin e gjithësisë/misterin e ajrit/të flladit/të agimit të mëngjesit./Unë kërkoj të mbjell tokë/lulen e parë/farën e parë/të së ardhmes.”

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja