TIRANE - Ambasada britanike në Tiranë zhvilloi sot paradite ceremoninë përkujtimore për dëshmorët britanikë të rënë në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore në ambientet pranë memorialit britanik dhe Komonuelthit, të vendosur në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryeministri Sali Berisha,Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Ambasadori britanik në Tiranë Nicholas Cannon, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, personalitete të tjerë të shquar shqiptar e britanikë, ushtarakë të dy vendeve, etj.

Personalitetet e larta të shtetit shqiptar dhe ata britanikë, si dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, fillimisht mbajtën një minutë heshtje në nderim të të rënëve britanikë dhe, më pas, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë memorialit britanik.

Kjo ceremoni përkujtimore, e kthyer tashmë në një traditë në Shqipëri nga Ambasada britanike në Tiranë, zhvillohet jo vetëm në Britani dhe në vendin tonë, por në shumë vende të tjera të Evropës, Francë, Belgjikë, etj, ku kanë dhënë jetën ushtarët britanikë, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këto ceremoni zhvillohen çdo datë 11 nëntor, në orën 11, një simbolikë e vendosur nga Britania e madhe, në nderim të Ditës së Kujtesës për të rënët e saj në këtë luftë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)