Bardh Spahia, kreu i komisionit të Shëndetësisë, ka dhënë një deklaratë lidhur me ndërprerjen e shërbimit të analizave pas datës 20 të çdo muaji, një problem që ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e pranoi për herë të parë.

​“Ky është një krim i hapur kundër jetëve të bashkqytetarëve tanë”, tha Spahia duke u shprehur se ka pritur prej kohësh që Ministria të marrë masa, ndonëse shpresa i mungonte.

Kërkesa e tij e drejtpërdrejtë është një interpelancë me ministren Sala duke theksuar se “çdo orë vonesë në dhënien e llogarisë është dënim me vdekje” për pacientët në pamundësi t’u drejtohen spitaleve private.

​“Ministrja duhet të dalë menjëherë para shqiptarëve dhe të japë llogari: Pse janë ndalur analizat? Ku kanë shkuar fondet e dedikuara për laboratorët? Si mundet që luksi i hoteleve dhe rrugëve të florinjta të ketë prioritet para jetës së një pacienti që pret në radhë te QSUT? Çdo orë vonesë në dhënien e llogarisë është një dënim me vdekje për ata që nuk kanë mundësi t'i drejtohen spitaleve private”, tha Spahia.

Gjithashtu e cilësoi të papranueshme mungesën e hetimit dhe ndërmarrjen e masave nga Prokuroria e Posaçme.

“Nga ana tjetër e konsiderojmë të papranueshme edhe mungesën e hetimit dhe marrjen e masave për këtë kontratë nga ana e SPAK. Ndërkohë që askush nuk ka shkuar para drejtësisë, të vetmit që paguajnë koston e korrupsionit në shëndetësi dhe koston e zvarritjes së hetimeve janë shqiptarët”, shtoi Spahia.

Spahia tha se sistemi i qeverisë Rama mbron koncensionarin. Ai pyet cila është arsyeja e përsëritjes së përmuajshme të kësaj situate dhe kush mban përgjegjësi.

“Tani që kemi edhe pohimin e vetë ministres së Shëndetësisë, nuk ka më asnjë dilemë nëse problemi ekziston apo jo. Tani mbetet vetëm një pyetje: Pse kjo ndodh çdo muaj? Dhe një tjetër po aq e rëndësishme: Kush mban përgjegjësi për këtë situatë që përsëritet rregullisht? Për koncesionin e analizave laboratorike nuk ka dy të vërteta. Ka vetëm një: ky sistem është ndërtuar nga qeveria Rama për të mbrojtur koncesionarin, jo qytetarin”, tha Spahia.

​Ndërsa vijoi të thoshte se shqiptarët përballen me vjedhje të vazhdueshme pavarësisht se paguajnë taksa, Spahia tha se modeli i kontratës koncensionare rrezikon drejtpërdrejt vetëm qytetarin.

“Mënyra si është ndërtuar kjo kontratë e përcakton qartë: kur buxheti i parashikuar shkon drejt fundit, ndalet shërbimi normal për qytetarin dhe rrezikun e merr përsipër vetëm qytetari. Sepse është qytetari ai që:

* pret me javë,

* shtyn analizat,

* ose detyrohet të paguajë nga xhepi”, u shpreh Spahia.

​Në fund, ai bëri thirrje që askush të mos heshtë pasi çështja tani bën fjalë për mbijetesën. Spahia tha se sot njerëzit duhet të reagojnë për të mbrojtur shëndetin dhe jetën.

Prej disa vitesh, në dhjetëditëshin e fundit të çdo muaji, ndërpritet shërbimi i analizave, kur arrihet edhe tavani buxhetor mujor për koncesionarin, duke bërë që analizat kryhen vetëm për rastet e urgjencave.

Ky shërbim prej vitit 2019 ofrohet nga konsorciumi “BOE Labopharma Sh.p.k & Exalab Francë & AB Laboratory Solutions B.V Holandë, me përfaqësues Labopharma Sh.p.k. Sipas kontratës mes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT-së, koncesionari njofton spitalin për arritjen e 75% për qind të tavanit buxhetor mujor.

Pas këtij tavani, në laborator pranohen analizat për pacientet e referuar e më pas vetëm për rastet e urgjencave. Sipas kontratës, kur arrihet tavani 100%, koncesionari e vijon shërbimin për rastet urgjente pa pagesë.

“Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të po atij viti. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.