Një 20-vjeçar nga Lazarati u aksidentua për vdekje mbrëmë një ditë më parë në aksin Kardhiq-Delvinë, pranë fshatit Fushë Vërri.

Orest Mahmutaj udhëtonte i vetëm me automjetin Audi, ndërsa 3 personat e tjerë të cilët mbetën të lënduar, ndodheshin në makinën që doli nga rruga dhe u përmbys.

I riu ishte djali i madh i familjes dhe punonte në lokalin bar-kafe të familjes. Sot, ai u përcoll për në banesën e fundit, duke lënë pas dhimbje tek familjarët dhe miqtë.

Ekspertiza ende nuk ka dalë dhe autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.