Këtë të dielë, familjarët, miqtë, artistë dhe adhurues të muzikës së tij, i dhanë lamtumirën këngëtarit Shpat Kasapi, i cili ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare pas një arresti kardiak.

Bashkëpunëtorë, artistë të njohur të skenës muzikore shqiptare me lot në sy nderuan për herë të fundit mikun e tyre, në homazhet pranë Pallatit të Kulturës në Tetovë.

Motra e këngëtarit, Jehona, mes dhimbjes dhe lotëve, mbajti dhe një fjalë lamtumire. 

“Të dashur familjarë,  miq dhe të afërm të gjithë që e donit Shpatin, që jeni të pranishëm. Sot me zemër të thyer jemi mbledhur këtu për të dhënë lamtumirën e fundit vëllait tim dhe tuajit, Shpatit. Është shumë e vështirë të gjej fjalët që të përshkruajnë dhimbjen që ndjej, kjo humbje nuk është thjeshtë, është një humbje e një pjese të shpirtit.

Shpat, shpirt i motrës ti linde me yll në ballë ishte një njeri i mirë, me zemër të bardhë dhe një njeri fisnik. Dije të ndjeje hallet e të tjerëve, por edhe të gëzoheshe me lumturinë e të tjerëve. Shpati ti i doje shumë fëmijët dhe pleqtë. Doje shumë të qeshje, buzëqeshja ishte sinonimi yt. Është e rëndë që nuk do ta dëgjojmë zërin tënd, por ti do mbetesh në çdo buzëqeshje dhe mirësi që ke lënë pas. Sot nuk do të themi lamtumirë përgjithmonë, ti do të mbetesh dritë në familjen tonë dhe bekim që Zoti na dhuroi. amanetin tënd Roelin do ta shoh si sytë e ballit, jam krenare që jam motra jote”, tha ndër të tjera e motra e këngëtarit.

Karriera e Shpat Kasapit nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike. Këngëtari u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite, mes tyre “Valle Kosovare”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:00
‘Shpat, do ta bëjmë atë duet në botë tjetër’, përlotet gjatë homazheve Arif Ziberi i ‘Elita 5’

Familjarë kolegë e dashamirës i dhanë sot lamtumirën e fundit artistit Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta pas një arresti kardiak.

Gjatë homazheve Arif Ziberi i ‘Elita 5’ i pikëlluar dhe me zërin që i dridhej nga lotët, e kujtoi Shpatin si një njeri të jashtëzakonshëm dhe një artist të dashur për publikun.

 “Unë jam i sigurt që Shpati gjendet në një botë shumë më të mirë se kjo, dhe i premtoj, Shpat, do të realizojmë atë duet në botën tjetër, të jesh i sigurt”, tha ai.

Ora 14:33
Homazhet për Shpat Kasapin/ Big Mama shpërthen në lot: Po të jap lamtumirën nga skena ku u rritëm! Zëri yt dhe muzika që ke lënë pas do të jetojnë përgjithmonë (VIDEO)

 

Familjarë, miq, kolegë dhe dashamirës i dhanë lamtumirën e fundit këngëtarit të njohur të muzikës shqiptare, Shpat Kasapi, në Pallatin e Kulturës në Tetovë.

Një nga miqtë më të ngushtë të Kasapit, Big Mama, mbajti një fjalim emocionues, duke përshkruar boshllëkun që ka lënë Shpat dhe dashurinë që do të mbetet përjetë në zemrat e tyre.

“Sot jam këtu në këtë skenë që për ne të dy s’ka qenë thjesht skenë, ka qenë fillimi ynë, vendi ku kemi marrë frymë për herë të parë si fëmijë dhe si artistë. Këtu kemi ndarë ëndrra, frikë, gëzim dhe kemi rritur talentin, shpresat dhe miqësinë tonë.

Sot skam fjalë që të përshkruaj boshllëkun që ke lënë. Ke ikur shumë herë padrejtësisht. Shpat, miku im, kemi nisur bashkë prej këtu dhe prej këtu po të them lamtumirë. Do të na mungosh. Por ti s’ke vdekur; zëri yt, muzika dhe dashuria që ke lënë pas do të jetojnë përgjithmonë. Po të lëshoj me lot, por të mbaj në shpirt. Kjo nuk është lamtumirë, miku im, kjo është shihemi prapë”, u shpreh ajo me lot në sy.