Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka shfuqizuar një vendim të Komunës së Tetovës, duke ndryshuar emrat e disa rrugëve që ishin vendosur që në vitin 2007, me vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës.

Vendimi është miratuar me 5 vota “pro”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe ai turk kanë votuar “kundër”.

Iniciativa në Kushtetuese ishte dorëzuar nga ‘Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945’, të cilët theksonin se Këshilli i Tetovës i ka ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për caktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, i cili ishte miratuar në vitin 2004 në Kuvend.

Vendimi nga Këshilli i Tetovës ishte miratuar në vitin 2007, kur në krye të Komunës ka qenë Hazbi Lika nga BDI, ndërsa në Qeveri ka qenë edhe PDSH-ja.

Lidhur me këtë zhvillim, ka reaguar edhe ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, e ka cilësuar vendimin si ‘një ditë e zezë për shqiptarët’.

Duke akuzuar Bilall Kasamin dhe VLEN-in se kanë punuar kundër interesave të shqiptarëve, Osmani shkruan se vendimi i sotëm është një goditje ndaj identitetit shqiptar.

Ai vijoi më tej duke treguar se sheshi ‘Iliria’ do të marrë emrin që ka pasur më parë, ‘Marshal Tito’.

Reagimi i Osmanit:

DITË E ZEZË PËR SHQIPTARËT.

Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin për emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke rikthyer emrin “Marshal Tito” në vend të sheshit “Iliria”.

Një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar.

Një tjetër plagë mbi të ardhmen e përbashkët.

Një tjetër hap prapa për këtë vend.

Në fund, Bilall Kasami duhet të jetë i lumtur. Dikur shkruante poezi për Titon.

Sot, Tito u kthye në Tetovë gjatë qeverisjes së tij dhe VVLEN-it.

Shqiptarët nuk do ta harrojnë.