SHKUP - Arbën Xhaferri, kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Maqedoni, ndërroi jetë pasditen e sotme në moshën 64-vjeçare, si pasojë e një hemorragjie cerebrale.

Lajmin e konfirmoi mjeku i tij, Sllobodan Damjanoski. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

Mediat maqedonase njoftuan se Xhaferi ndërroi jetë sot pasdite, ndërsa pësoi hemorragji cerebrale më 8 gusht.

I ndjeri Xhaferi javën e kaluar u gjet në shtëpinë e tij në gjendje kome, pasi kishte pësuar hemoragji cerebrale.

Kryetari i mëparshëm i PDSH-së, disa vite me radhë ka vuajtur nga sëmundja e Parkinsonit dhe për shkak të gjendjes shëndetësore pas 12 vitesh që kishte udhëhequr me PDSH-së, në vitin 2007 u largua nga posti lider partie.

Xhaferi lindi në Tetovë më 24 janar të vitit 1948. Mbaroi Fakultetin Filozofik dhe deri në vitin 1990 ka punuar në radiostacionet televizive në Prishtinë, Kosovë si kryeredaktor i programit kulturor.

Ka qenë kryetar i PPD-së në Maqedoni nga 18 prilli i vitit 1995, e më pas lider i Partisë Demokratike Shqiptare deri në vitin 2007. Në zgjedhjet e dyta parlamentare në Maqedoni u zgjodh si deputet i pavarur (1994), e më pas si deputet i PDSH-së, ndërsa gjatë luftës në Maqedoni ishte nëshkrues i Marrëveshjes së Ohrit.

(Gre/Shqiptarja.com)