ITALI - Bruno Pizzul, zëri historik i gazetarisë dhe komentit sportiv italian; si edhe i kombëtares së kaltër, ndërroi jetë në spitalin e Gorizias këtë të mërkurë. Ai do të mbushte 87 vjeç të shtunën. Pizzul është një emër dhe zë i njohur në Shqipëri, kjo pas viteve 1990 kur televizionet italiane ishin "dritarja" jonë për në Evropë.

Pizzul ishte zëri i netëve magjike të Botërorit 1990 dhe i ngjarjeve më historike që shënuan futbollin në Itali. “Robertobaggiooooo” i tij hyri në zemrat e të gjithëve. Ai mbuloi ndeshjet e Italisë për 16 vjet, nga 1986 deri në 2002, e fundit prej të cilave ishte Itali-Slloveni më 21 gusht 2002, një miqësore e luajtur në Trieste dhe e humbur 1-0 nga të kaltrit.

Bruno komentoi ndeshjet e kombëtares së Italisë në pesë Kupat e Botës, katër Kampionatet Evropiane dhe në të gjitha ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, me përjashtim të finales së vendit të tretë në Itali '90 (vetëm sepse ishte i zënë në ndeshjen e titullit të nesërmen në 'Olimpico').

Karriera - Komenti i tij i parë ishtë më 8 prill 1970 (në Rai që nga 1969), luhej Juventus - Bologna, play-off i Kupës së Italisë në terren neutral në Como, filloi në minutën e 16-të sepse ai mbërriti me vonesë.

Në vitin 1972 ai mbuloi finalen e parë ndërkombëtare, Kampionatin Evropian të fituar nga Gjermania Perëndimore ndaj BRSS 3-0. Në vitin 1973 ai ishte zëri i suksesit të Milanit në Kupën e Kupave. Komentet e tij të fundit ndërkombëtare ishin në vitin 1999 (Lazio në Kupën e Kupave dhe Parma në Kupën UEFA).

Ai ishte gjithashtu komentuesi i finales së Kupës së Kampionëve të Juventusit kur ndodhi fatkeqësia 'Heysel' më 29 maj 1985. Në vitet kur Seria A dominonte Evropën dhe skuadrat italiane ishin thuajse në çdo finale, ai ishte aty. Pizzul ishte gjithashtu mikpritës i 'Domenica Sportiva', si dhe 'Sport Sera', 'Domenica Sprint' nga 1976 deri në 1990.

Në Shqipëri

Në fillimin e viteve '90, televizionet italiane ishin një "dritare" që afronte Shqipërinë me Perëndimin, ndërsa Pizzul ishte komentatori që 'ushqente' pasionin e pashtershëm për futbollin dhe shumë tifozë janë të familjarizuar me zërin e tij.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E DREJTA: 05/03/2025 10:21

    RIPOSA IN PACE...SEI STATO UN SIGNORE IN TUTTI I SENSI

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?