PRISHTINË, 25 Nëntor/ATSH/.- Drejtori i Radio dhe Televizionit Dukagjini, Riza Lluka, ndërroi jetë sot, pas një sëmundje.
Riza Lluka ka qenë delegat i Kuvendit të Kosovës gjatë viteve 1982-1990 dhe anëtar e kryetar i Këshillit për Urbanizëm dhe Punë Komunale në ish-Dhomën e Punës së Bashkuar të Kosovës. Njihet dhe si kundërshtar i amendamenteve të Republikës së Serbisë me të cilat shuhej autonomia e atëhershme e ish-KSAK-së dhe ka votuar kundër këtyre ndryshimeve.
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të institucioneve paralele, por atëherë si anëtar i Partisë Parlamentare (1992-1998). Misionar në pajtimin e gjaqeve në SHBA në krye me Anton Çetën gjatë viteve '90. Lluka ishte këshilltar komunal në Kuvendin Komunal të Pejës në mandatin 2002-2006. Ai ishte veprimtar politik i qëndrueshëm dhe koherent në artikulimin e kërkesave dhe nevojave njerëzore, duke ofruar ide dhe i shndërruar ato në praktikë.
Riza Lluka ishte politikan aktiv për 22 vite të plota.
Ushtroi veprimtarinë e Këshilltarit në Komunën e Pejës, si dhe punoi si Këshilltar i Lartë Profesional në Korporatën 'Dukagjini' ku edhe ishte Drejtori i RTV Dukagjini.
Riza Lluka ishte shembull në ekipin dhe rrethin e tij për optimizmin, mendjen e kthjellët dhe plot dashuri që kishte për vendin, njerëzit e mirë që e rrethonin dhe për Pejën e tij. /k.s/