TIRANE - Ndërron jetë në moshën 69-vjeçare Luan Hajdaraga. Ish-ministri i Mbrojtjes në vitet 1998-2000 pas një beteje me sëmundjen nuk ka arritur t’ia dalë. Ai u shua sot paradite në QSUT, ndërsa lajmi konfirmohet për Report Tv nga familjarët.

Pak kohë më parë, në muajin mars, ai pësoi një goditje në tru teksa po udhëtonte me makinë nga Maqedonia në Shqipëri. Ishemia cerebrale e paralizoi, ndërsa u dërgua për mjekim në Turqi. Qeveria miratoi një vendim për akordimin e fondit prej 1.9 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore.

Pas mjekimit ai u rikthye në Shqipëri, ndërsa po kurohej, por me gjithë trajtimet, ndërroi jetë paraditen e sotme në urgjencën e QSUT-së. Luan Hajdaraga ishte një figurë e njohur e politikës shqiptare.

Ai përpos postit të ish-ministrit të Mbrojtjes në një moment delikat në historinë e vendit, ka qenë edhe ish-deputet dhe nënkryetar i Partisë Socialiste për shumë vite. Redaksia e Report Tv dhe gazetës Shqiptarja.com i shprehin ngushëllimet familjes për humbjen e njeriut të shtrenjtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:25
PD ngushëllon ndarjen nga jeta të Hajdaragës: Humbëm një kundërshtar të denjë politik

Edhe Partia Demokratike ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi për familjen e Luan Hajdaragës, teksa thekson se “humbën një kundërshtar të denjë politik”, ndërsa PS ithtarin e europianizmit. 

PD vlerëson se Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.

Mesazhi i plotë i PD:

Partia Demokratike shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Luan Hajdaragës, protagonist i zhvillimeve të së majtës shqiptare gjatë 28 viteve të fundit.

Hajdaraga ishte një kontribues i jetës politike pluraliste në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në formësimin e një të majte shqiptare, që mbështeste alternativën euroatlantiste.

Si nënkryetar i PS dhe më pas si Ministër i Mbrojtjes apo zëvendësministër i jashtëm, Profesori i njohur i psikologjisë dha kontribut në normalizimin e jetës politike në vend, në zbatimin e një diplomacie pa ndikime partiake dhe mori pjesë aktive në aksionin mbarëkombëtar për zgjidhjen e krizës së të shpërngulurve shqiptarë të Kosovës.

Me ndarjen e tij nga jeta, familja humbi njeriun e saj më të shtrenjtë, Partia Socialiste njërin nga ithtarët e evropianizimit të saj, kurse Partia Demokratike një kundërshtar të denjë politik.

Ora 20:35
Ndarja nga jeta e Luan Hajdaragës, Edi Rama: I trishtuar për lajmin, ishte burrë i paqtë e i arsyeshëm

Kryeministri Edi Rama ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Rama shkruan se me trishtim kishte mësuar lajmin për ikjen e Hajdaragës, një burrë i paqtë dhe i arsyeshëm, sipas tij.

Postimi i Ramës:
I trishtuar për lajmin e ndarjes nga jeta të mikut tim Luan Hajdaraga; burrë i paqtë e i arsyeshëm që diti gjithnjë të mos prishë qejf me asnjë. U prehtë në paqe.

Ora 19:34
“Nuk dua të të përcjell nesër Luan”, Erion Braçe dedikim prekës për mikun e ndjerë (Foto)

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe është shprehur mjaft i prekur për largimin nga jeta të ish-ministrit të drejtësisë, Luan Hajdaraga. Braçe ka shpërndarë një foto të të ndjerit në rrjetet sociale, ku i ka dedikuar edhe disa fjalë prekëse.

(Foto e publikuar nga deputeti Erion Braçe)

“Nuk dua të të përcjell nesër Luan. Ishte bukur me ty si shok, mik, vëlla. Burra si ty përcillen në betejë, jo për t’u humbur,”- shkruan deputeti krahas fotos.

Hajdaraga ndërroi jetë mëngjesin e sotëm dhe ky lajm i hidhur ka prekur shumë figura të politikës shqiptare. Katër muaj më parë, ish-ministri i drejtësisë pësoi ishemi cerebrale.

Ora 14:10
Ruçi letër ngushëllimi për Hajdaragën: Miku im i shtrenjtë, legjislator i talentuar

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka nisur një letër ngushëllimi familjes së Luan Hajdaragës, ish-ministrit të Mbrojtjes që u nda nga jeta ditën e sotme. Në letrën e tij, Ruçi shpreh ngushëllimet dhe konsideratën për Hajdaragën.

Mes të tjerash, kryeparlamentari shkruan: Luani, kolegu e miku im i shtrenjtë, i pazëvëndësueshëm . Hajdaraga, njeri i rrallë i arsimit, kulturës dhe interesit publik. Hajdaraga, kontribut si rrallëkush për të majtën shqiptare. Luan Hajdaraga, një legjislator i talentuar, model për dituritë, energjitë dhe shpirtmadhësinë e tij.

Letra e plotë:

Ora 13:28
Shuhet Hajdaraga, Meta: Humbëm një personalitet dhe mik të dashur

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-Ministrit dhe ish-deputetit Luan Hajdaraga duke i shprehur ngushëllimet familjes. Meta shprehet se ‘Me dhembje të thellë mësova lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Luan Hajdaragës, mikut të vjetër dhe të dashur, ish-Ministër, ish-deputet dhe një nga personalitetet më në zë të Partisë Socialiste që në fillimet e saj’.

Mesazhi i Presidentit
Luan Hajdaraga shquhet për kontributin e tij të konsiderueshëm në Partinë Socialiste, në vitet e para të sfidave të saj gjatë fillimeve të demokracisë në Shqipëri por veçanërisht, si Ministër i Mbrojtjes dallohet kontributi i tij gjatë krizës së Kosovës në vitet ‘99 dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët.

Luani mbetet një nga përkrahësit më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe si Ministër i ngarkuar i Punëve të Jashtme ai dha kontributin e tij të rëndësishëm në këtë proces.

Me humbjen e tij opinioni publik shqiptar humbi një nga analistët më në zë dhe objektivë të çështjeve të sigurisë, atyre të politikës së jashtme, por edhe të problemeve sociale për të cilat ai fliste me pasionin e tij të rinisë.

Familja e tij humbi para kohe një bashkëshort e baba të përkushtuar dhe të gjithë ne, një mik të dashur të cilin do ta kujtojmë gjithmonë me dashuri dhe respekt.