Ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" foshnja 2 muajshe, e cila u dërgua me urgjencë nga Spitali Rajonal i Korçës për mjekim më të specializuar sepse ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mësohet se foshnja ndërroi jetë disa orë pas mbërritjes në kryeqytet, ku pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
Nga ana e grupit hetimor konfirmohet se materialet për rastin janë dërguar në Prokurorinë e Korçës, ku gjatë hetimeve do të zbulohet nëse shkak i vdekjes ka qenë kequshqyerja apo ndonjë problem tjetër shëndetësor që foshnja mund të ketë pasur që në lindje. Mësohet se nëna e ushqente kryesisht vetëm me çaj.
Nga ekzaminimet rezultoi se parametrat jetësorë ishin në kufijtë minimalë, ndërsa mjekët thanë se në momentin kur foshnja ka mbërritur në pediatri ka qenë në gjendje shumë të rënduar, me probleme të theksuara respiratore.
Një tjetër detaj shqetësues lidhet me peshën e tij. Foshnja peshonte vetëm 1 kilogram, njësoj si në momentin kur ka lindur dy muaj më parë, çka sipas mjekëve tregon se nuk ka pasur zhvillim apo ushqyerje të shëndetshme gjatë kësaj periudhe.
Foshnja ka lindur parakohe rreth dy muaj më parë, kur nëna ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se dyshohet që nëna të ketë probleme të shëndetit mendor, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë nëse ajo ka shfaqur probleme pas lindjes së fëmijës. Edhe dje nëna e fëmijës kërkonte që ta merrte në shtëpi foshnjen, e cila ndodhej në spital.
Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor, megjithatë sipas burimeve nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që lidhen me lindjen e parakohshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente









