Ndërron jetë “Paganini” shkodran, Mark Kaftalli

Ndërron jetë në moshën 81- vjeçare, violinisti dhe kompozitori i shquar shkodran, Mark Kaftalli. "Paganini shkodran i violines", që do të shkruante historinë e tij në librin e madh të kulturës shqiptare, lindi në Shkodër më 14 dhjetor 1933.

Ka kryer kursin e violinës me mësuesin Zef Alimhilli dhe më pas ka studiuar violin me mjeshtrin Nikolla Zoraqi. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, punoi nën kujdestarinë private të kompozitorit Preng Jakova, për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit. Koncertin e parë e ka dhënë me mjeshtrat Preng Jakova e Gjon Saraçi në qytetin e Shkodrës.

Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pandërprerje për 30 vjet në Teatrin "Migjeni", si udhëheqës artistik. Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër. Po në këtë vit u realizua dhe festivali i parë i muzikës së lehtë në Tiranë. Në festivalin e parë të kompozitorëve amatore, Marku fitoj çmimin e parë me këngën "Vallë çka dru" me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai dhe e kenduar nga Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula.

Mbi 30 vjet si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Ai ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu, Mark Kaftalli është autor i shtatë operave. Sipas specialistëve të muzikës, Kaftalli radhitet ndër emrat që kanë dhënë kontribut të madh në përgatitjen e talenteve të reja.

Mark Kaftalli është dekoruar me medaljen "Naim Frashëri " të klasit të dytë dhe të parë. Në vitin 2005 është nderuar me titullin "Mirënjohja e Qytetit" nga Bashkia e Shkodrës dhe po ashtu në vitin 2012 me "Diplomën e Pavarësisë".

Emri dhe suksesi i mjeshtrit të jareve shkodrane, Artistit të Merituar, Bik Ndoja dhe këngëtarit Shyqyri Alushi, janë produkt i punës së palodhur dhe profesionale që kompozitori Mark Kaftalli bëri me këta artistë. Ai ishte padyshim një nga ikonat e muzikës shkodrane, mjeshtri i violinës dhe zbuluesi i shumë talenteve të mëdha. 

ATSH
 

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Lufta ndaj kriminalitetit ka nevojë për klimë normale politike, institucione të pavarura dhe guxim të reagimit të qytetarëve duke i refuzuar në masë si fenomene!