Ndërron jetë peshëngritësi Ymer
Pampuri, kampion bote në 1972

Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare legjenda e peshëngritjes shqiptare, Ymer Pampuri.
 
Pampuri ishte i pari rekordmen olimpik dhe kampion i botës në ngritje peshash nga Shqipëria, në stilin e forcës, në vitin 1972, në Olimpiadën e Mynihut.
 
Rekordi i Pampurit mbetet i pathyeshëm, pasi stili i forcës nuk ekziston më që atëherë.

Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja.
 
Nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë.
 
Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Ishin në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampion me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën.
 
Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut. Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 Nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës.
 
Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. Veç medaljeve e titujve, i është akorduar edhe titulli “Mjeshtër i Madh i Punës”, si dhe urdhri “Naim Frashëri” i klasit të parë.
 
Në vitin 1981 heq dorë përfundimisht nga sporti, që i kishte dhuruar aq shumë emocione për disa vjet radhazi dhe u rikthye në mjediset e Cirkut të Tiranës, aty ku do të dilte në pension në moshën 50-vjeçare.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 25 Janar, 13:37

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?



×

Lajmi i fundit

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë

Homazhet për Kryepiskopin Anastas, në Tiranë pritet delegacion i lartë nga Vatikani, Kishat botërore dhe politikanë të lartë