Ndërron jetë studiuesi i estetikës
së artit dhe letërsisë, Alfred Uçi

Ndërron jetë studiuesi i estetikës<br />së artit dhe letërsisë, Alfred Uçi
Studiuesi i njohur i estetikës së arteve dhe letërsisë dhe profesor i filozofisë Alfred Uçi ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së sotme. Alfred Uçi largohet nga jeta në moshën 86-vjeçare. Ai njihet veçanërisht për studimet estetike krahasimore.

Profesor Uçi gjatë karrierës së tij i është referuar kryesisht estetikës së realizmit socialist, por nga ana tjetër edhe pse në një variant të reduktuar, ai guxoi të sillte për herë të parë në trilogjinë e tij të njohur “Estetika” konceptet e artit modern botëror rreth viteve ’85-‘90.

Brezi i këtyre viteve, konceptet e modernizmit, surrealizmit, dadaizmit dhe impresionizmit i ka mësuar nga vepra studimore e Alfred Uçit.

Edhe pse këto rryma ishin të ndaluara të aplikoheshin në artet dhe letërsinë shqiptare, u bënë të njohura në mjediset krijuese, por edhe të lëvruara në fshehtësi nga syri i censorëve të regjimit diktatorial. Profesor Alfred Uçi ka dhënë një kontribut të madh edhe ne hartimin e fjalorëve gjuhësorë dhe enciklopedikë të Akademisë së Shkencave. 

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka shprehur e para ngushëllimet, ndërkohë që njofton se ceremonia në nderim të Tij do të mbahet më 27 tetor 2016, nga ora 11.00-12.00 në Akademinë e Shkencave.

Kush ishte Alfred Uçi

Alfred Uçi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave, profesor, studiues i filozofisë, estetikës, folklorit, letërsisë dhe kulturës kombëtare, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.

Akademik Alfred Uci lindi më 15.12.1930 në qytetin e Korçës, në një familje të njohur me tradita atdhetare, kulturore dhe arsimdashëse. Në moshë të re, ai, ashtu si dhe familja e tij, u rreshtuan në krahun antifashist, rrjedhën më të përparuar të asaj periudhe. U formua si studiues në Universitetin Lomonosov në Moskë, Rusi.

Me themelimin e Universitetit të Tiranës ai u emërua profesor i filozofisë dhe kontribuoi si hartues i teksteve të para universitare të kësaj lënde. Akad. Alfred Uçi është themelues i lëndës së estetikës në historinë e arsimit universitar në Shqipëri.

Ai iu kushtua për dekada me radhë kësaj disipline, duke u bërë faktor primar për tejkalimin e traditës fragmentare të deriatëhershme. Me studimet e tij si estet akad. Alfred Uçi e vendosi këtë disiplinë teorike në raporte të kushtëzuara me letërsinë, traditën folklorike, kulturën dhe artin shqiptar.

Si studiues akad. Alfred Uçi la një trashëgimi të pasur studimore në historinë e mendimit filozofik e estetik që nga Rilindja Kombëtare e në vijim, në leximin estetik të veprës letrare të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë (Migjeni, Kadare).

Autor i rreth 20 veprave monografike në disa fusha të dijeve albanologjike, ai zhvilloi mendimin shkencor shqiptar në fushë të filozofisë (me veprat kushtuar Jani Vretos dhe Teodor Kavaliotit); në studimet teorike-letrare për kategoritë estetike (duke përfshirë ciklin e studimeve për groteskun në traditën letrare shqiptare. 

Në karrierën si veprimtar publik në jetën e ak. Alfred Uçit shenjohen veçmas:
Në vitet 1979-1986 ishte drejtor i Institutit të Kulturës Popullore dhe kryeredaktor i revistës shkencore Kultura popullore. Në këtë detyrë ai ndryshoi në kahje pozitive funksionet e këtij institute dhe raportet e tij me botën. Ai është një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti.

Në vitet 1987-1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës. Pas kësaj iu kushtua tërësisht punës shkencore duke botuar një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke marrë në vështrim jo vetëm autorë shqiptarë, po edhe autorë nga më të njohurit e letërsisë botërore.

Ndër veprat kryesore të tij janë: Estetika, jeta, arti (1970), Probleme të estetikës (1976), Mitologjia, folklori, letërsia (1982), Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (1986), Estetika (në tri vëllime, 1986-1988), Shekspiri në botën shqiptare (1996), Dostojevski në kohën tonë (1997), Ferr-Parajsa danteske (1998), Prometeu dhe Hamleti (bot. greqisht, Athinë 1998), Grotesku kadarean (1999), Estetika e groteskut (vëll. I-IV, 2000), Estetika në letërsinë shqipe (2001), Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni (Shkup 2003), Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit (2004), Estetika e folklorit (2007), Universi estetik (vëll. I-III, 2004-2007).

“Estetika metateorike mbi artin: klasika apo nonklasika?” Vëllimi I, 464 f. (2008), “Filozofia e DonKishotizmit" (2010), “Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911: jetëshkrimi, studime, vepra” (2011), “Estetika Migjeniane: fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015)

Akad. Alfred Uçi është fitues i tri Çmimit të Republikës të Shkallës I dhe i disa mirënjohjeve dhe nderimeve të tjera.

[gallery]19350[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë