Kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në Shqipëri 4 trupat e pajetë të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht disa ditë më parë në Itali. Ata do të përcillen në mesditë për në banesën e fundit në fshatin Gryksh i Madh të Peqinit, në vendlindjen e tyre.

Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola dhe dy fëmijët Hajdar dhe Xhesika, 22 dhe 15 vjeç ndërruan jetë më 4 shkurt në shtëpinë e tyre në Porcari të Italisë si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

Trupat e pajetë iu nënshktruan analizave toksikologjike në Itali. Për ardhjen e tyre në Shqipëri, vëllai i Arti Kolës, Durim Kola, hapi një GoFundMe ku brenda 2 ditësh u mblodhën mbi 75 mijë euro.

Si ndodhi ngjarja e rëndë

Tragjedia ndodhi rreth orëve të darkës: vëllai i kryefamiljarit dhe karabinerët, në momentin që hynë në shtëpi, gjetën tryezën të shtruar. Alarmin e dha pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët: sapo mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët trokitën disa herë, pa marrë asnjë përgjigje.

Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë. Xhaxhai i dy fëmijëve të mitur, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia përpara se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanello-s.

Banesa ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth 3 vite më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq. Ndërkohë djali i tij, vetëm 22-vjeçar punonte si elektriçist.

Lajmi në përditësim...