Godina e qeverisë së Kosovës është ndriçuar me flamurin e Ukrainës në shenjë solidaritetit me këtë shtet, territori i të cilit është pushtuar pjesërisht nga trupat ushtarake ruse.
Lajmin e ka bërë me dije kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjete sociale. Ai shprehet se këto kohë janë kritike për ukrainasit dhe se pavarësisht sa të errëta janë kohët apo sa e vështirë është lufta, historia favorizon të drejtët.
“Pavarësisht se sa të errëta janë kohët apo sa e vështirë të jetë lufta, historia favorizon të drejtët. Në këtë kohë kritike për popullin ukrainas, ne ndezëm ndërtesën e qeverisë për të treguar solidaritetin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës”, shkruan Kurti.
Orët e para të mëngjesit të sotëm Ukraina u zgjua më shumë se kurrë me “shijen” e keqe të luftës, pas njoftimit të mbrëmshëm të Putin që urdhëroi futjen e trupave ushtarake ruse në zonat separatiste të Ukrainës Lindore. Sipas “Daily Mail”, media e cila i referohet burimeve që kanë lidhje me inteligjencën ushtarake ukrainase janë futur gjithsej 12 mijë trupa në territor.