Numrin më të madh të këtyre parcelave e kanë Qarku i Tiranës dhe Qarku i Shkodrës, përkatësisht me nga 104 dhe 84 parcela. Janë mbi 60.000 m² truall që kalon në pronësi të informalëve vetëm në këto 2 qarqe.
Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave për kalimin e parcelave ndërtimore në favor të pronarëve të objekteve informale
VENDIM PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", të ndryshuar, të shkronjës "ç", të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, "Për shitblerjen e trojeve", të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje poseduesve të sipërfaqeve maksimale të parcelave ndërtimore, sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2.Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:
a) Qarku Berat, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 927,3 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e shtatë presje tre) m².
b) Qarku Elbasan, 50 (pesëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 953,1 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e tre presje një) m².
c) Qarku Fier, 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 38 251,3 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e një presje tre) m².
ç) Qarku Gjirokastër, 20 (njëzet) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 985,7 (gjashtë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë presje shtatë) m².
d) Qarku Korçë, 6 (gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 536 (një mijë e pesëqind e tridhjetë e gjashtë) m².
dh) Qarku Kukës, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 277, 27 ( tre mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë presje njëzet e shtatë) m².
e) Qarku Lezhë, 19 (nëntëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 880 (pesë mijë e tetëqind e tetëdhjetë) m².
ë) Qarku Shkodër, 84 (tetëdhjetë e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 626 (tridhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë) m².
f) Qarku Vlorë, 44 (dyzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 227 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e shtatë) m².
g) Qarku Tiranë, 102 (njëqind e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 221,8 (tridhjetë mijë e dyqind e njëzet e një presje tetë) m².
3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë për parcelat ndërtimore sipas neneve 83 dhe 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, "Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar.
4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)