Gjykata e Sarandës ka lehtesuar masat e sigurisë për një oficer të Policisë Gjyqësore dhe 4 ish-zyrtarë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, të cilët hetohen për shpërdorim detyre dhe ndërtim të paligjshëm.
Oficeri i Policisë Gjyqësore, Irakli Koçiaj i cili ishte me mase arrest me burg prej 26 majit, sot është lënë nga gjykata në masën detyrim paraqitje. Gjtihashtu u pezullua nga detyra dhe iu ndalua të dalë jashte shtetit.
Për ish-kryeinspektorin e IMT-së, Eduart Veli që kishte masen arrest shtëpie, gjykata vendosi ta lirojë kundrejt garancisë pasurore 100 mijë lekë.
Ndërkohë, për ish-inspektorët Romelio Kadëna, Ilia Gjika dhe Elvis Memushi, u lanë në fuqi masat detyrim paraqitje.
Sipas hetimeve, çështja lidhet me dy raste konkrete ndërtimesh pa leje në Sarandë: objektin "Copa Cabana", i cili u shemb nga IKMT, si dhe ndërtimin e një kati shtesë në Hotel Oasis. Prokuroria dyshon se zyrtarët përgjegjës nuk kanë marrë masat ligjore për ndërprerjen e paligjshmërisë, duke sjellë përgjegjësi penale për mosveprim në ushtrimin e detyrës.
Kjo dosje është pjesë e hetimeve të nisura muaj më parë për lejimin e ndërtimeve pa leje në Sarandë. Më herët, në kuadër të të njëjtit procedim penal, ishte arrestuar edhe ish-shefi i Komisariatit të Policisë Sarandë, i dyshuar për shpërdorim detyre në lidhje me këto raste.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, ndaj oficerit të policisë gjyqësore, ish-kryeinspektorit dhe ish-inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), të akuzuar për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës", "Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë" kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Ndërtimi i paligjshëm’, parashikuar nga neni 248, 251, 25 dhe 50/h, si dhe 199/a/4 i K.Penal, u dhanë masat e reja të sigurimit.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë u paraqit kërkesë për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit dhe vijimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’. Në vijim për këta shtetas u vendos:
- Caktimin ndaj personit nën hetim I.K, Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë, të masave të sigurimit "Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik" parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, "Ndalimi i daljes jashtë shtetit" parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale dhe "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore";
- Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.V, me detyrë ish-Kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë, ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke u detyruar personit nën hetim E.V. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e tij.
- Caktimin si masë sigurimi alternaltive e masës "Arrest në shtëpi", masën e sigurimit "Garancia pasurore" parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në shumën 100'000 (njëqind mijë) Lekë";
- Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim R.K. me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale;
- Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim I.Gj, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë; të "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale; dhe
- Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.M, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të "Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









