TIRANE- Tre Vendime të Këshillit të Ministrave me objektiv rregullimin e situatës në territorin e nëpërkëmbur shqiptar janë publikuar dje në Fletoren Zyrtare. Ato rregullojnë me akt nënligjor kompetencat e Inspektoriatit Ndërtimor, përbërjen e KKT dhe Task Forcës kundër ndërtimeve pa leje
 
Ndër vendimet e para të qeverisë Rama përfshihen ato për rregullimin urgjent të territorit, sidomos me fokus mbi zënien e tij nga objekte pa leje dhe nga ato, që dëmtojnë interesat historike, kulturore, etj të vendit. Ndër këto VKM përfshihen ai për krijimin e një task-force për ndërhyrje në raste emergjente të ndërtimeve pa leje, një tjetër për unifikimin e kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Kombëtar në zonat me rëndësi kombëtare dhe një tjetër për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Territorit (ish-KKRTRSH).
Të tre këto vendime nuk ishin bërë të njohura më parë në njoftimet që jep zyra e shtypit e Kryeministrisë lidhur me produktet e mbledhjeve të qeverisë.
 
Inspektoriati
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 30 shtator është vendosur unifikimi i kompetencave të INUK në zonat me rëndësi kombëtare dhe në territor. Sipas këtij Vendimi, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) i ushtron pa asnjë kufizim paraprak kompetencat në çdo rast kur ai konstaton objekt të kundërligjshëm, me ose pa leje ndërtimi, në të gjitha zonat e përcaktuara si zona të rëndësisë kombëtare, me ligj, akte nënligjore apo me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).

Në rastet kur INUK-ja konstaton objekte në ndërtim e sipër në të gjithë territorin, përfshirë edhe zonat dhe objektet e rëndësisë kombëtare, dhe kur Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) dhe/ose autoriteti përgjegjës i planifikimit nuk ka zbatuar përgjegjësitë ligjore, ushtron menjëherë kompetencat, thuhet në VKM.
Sipas vendimit, INUK-ja ushtron menjëherë me autoritet të plotë përgjegjësitë për të gjitha objektet e kundërligjshme, me ose pa leje ndërtimi, në të gjithë territorin kur konstaton se INUV-ja e komunës/bashkisë ka kryer veprime ose mosveprime në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore.

INUK-ja, qoftë edhe kryesisht, kryen inspektime dhe kur është rasti ushtron kompetencat e përcaktuara në nenet 9, 10 e 10/1 të ligjit nr.9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin e ndërtimit” në të gjitha zonat e rëndësisë kombëtare si dhe pranë të gjitha zonave dhe objekteve, të cilat paraqesin karakteristika të veçanta kulturore, historike, sociale, arsimore, shëndetësore, mjedisore, turistike, industriale apo infrastrukturore etj, kur mjedisi i tyre është dëmtuar, apo shkatërruar tërësisht nga zhvillimi i ndërtimeve të objekteve: pa leje ndërtimi; me leje ndërtimi, por të realizuara me shkelje të kushteve urbanistike të lejeve të ndërtimit; me leje ndërtimi të kundërligjshme dhe të strukturave/ndërtimeve në proces legalizimi, të cilat bien në kundërshtim me kërkesat ligjore. Në këto raste, është ALUIZNI autoriteti përgjegjës, i cili konfirmon moskualifikimin për legalizim të këtyre objekteve dhe njofton INUK-në.

Do të konsiderohet objekt i kundërligjshëm ai që rezulton se gjendet në njërin apo disa nga kushtet e mëposhtme: është pa leje ndërtimi; është me leje ndërtimi, por me shkelje të plotë të kushteve urbanistike të miratuara në lejen e ndërtimit, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe/ose në kundërshtim me planet, kombëtare apo vendore, të zhvillimit; për këtë objekt ka kaluar afati ligjor i përcaktuar në lejen e ndërtimit për përfundimin e objektit dhe/ose objekti është braktisur nga investitori/subjekti ndërtues/pronari; është pa dokumentacion tekniko-ligjor që të vërtetojë ligjshmërinë tekniko-ligjore të objektit; objekti rezulton me shkelje të lejes së legalizimit ose me leje legalizimi të miratuar në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore, në fuqi për legalizimet.

Policia e Shtetit, kur konstaton punime ndërtimore të kundërligjshme në të gjithë territorin njofton menjëherë INUK-në. Në ushtrimin e kompetencave në prishjen e ndërtimeve të kundërligjshme INUK-ja bashkëpunon dhe mbështetet nga Policia e Shtetit.
Vendimi ka hyrë në fuqi menjeherë.

vkm
(Foto: Nga e majta vendimi i Këshillit të MInistrave për INUK dhe Task-Forcën)
 
Task Forca
Në një mbledhje të mëpasme, të datës 9 tetor, qeveria ka vendosur krijimin e një task force për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit. Task – Forca ushtron funksionet e saj në nivel kombëtar për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit. Ajo drejtohet nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe ka në përbërje Ministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit; Ministrin e Mjedisit; Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrin e Kulturës; Ministrin e Mbrojtjes; Kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar; Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit; Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Task - Forca për Mbrojtjen e Territorit ka këto funksione:
a) Analizimin e problematikës së ndërtimit dhe vlerësimin e nevojës për ndërhyrje emergjente, evidentimin e zonave me interes kombëtar, në të cilat do të zbatohen masat e ndërhyrjes emergjente, përcaktimin e përparësive për zbatimin e ndërhyrjeve emergjente në të gjitha zonat dhe objektet, të cilat paraqesin karakteristika të veçanta kulturore, historike, sociale, arsimore, shëndetësore, mjedisore, turistike, industriale apo infrastrukturore etj., mjedisi i të cilave është dëmtuar/shkatërruar nga zhvillimi i ndërtimeve si dhe përcaktimin e objektivave e të masave për bashkërendimin e punës me organet e qeverisjes vendore.
Task - Forca do të mblidhet një herë në javë ose në çdo kohë me kërkesë të kryetarit. Në mbledhjet e saj do të ftohen të marrin pjesë përfaqësues të organeve të qeverisjes vendore dhe të institucioneve të tjera të interesuara. Kryetari i Task - Forcës për Mbrojtjen e Territorit i raporton pas çdo mbledhjeje kryeministrit.
 
Këshilli Kombëtar
Në një mbledhje të datës 3 tetor është vendosur edhe përbërja e Këshillit Kombëtar të Territorit, që zëvendëson Këshillin Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë (KKRTRSH).
Këshilli i Ministrave ka vendosur që Këshilli Kombëtar i Territorit, si autoritet kombëtar i planifikimit, të kryesohet nga Kryeministri dhe të ketë në përbërje të tij Ministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit zëvendëskryetar; Ministrin e Punëve të Brendshme anëtar; Ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës anëtar; Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes anëtar; Ministrin e Drejtësisë anëtar; Ministrin e Kulturës anëtar; Ministrin e Energjisë dhe Industrisë anëtar; Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave anëtar; Ministrin e Mjedisit anëtar; Zëvendësministrin e Zhvillimit Urban dhe Turizmit anëtar dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit sekretar.

vkm
(Foto: Vendimi i Këshillit të Ministrave për KKT)

Sipas Vendimit, anëtarët e Këshillit Kombëtar të Territorit, për çdo pjesëmarrje në mbledhje, shpërblehen me 20 mijë lekë dhe ky shpërblim do të përballohet nga buxhetet e miratuara për çdo institucion përkatës që ata përfaqësojnë.
Qeveria vendosi afat për zbardhjen e vendimeve të KKT. Në VKM thuhet se brenda 15 ditëve kalendarike nga dita e zhvillimit të mbledhjes, do të jetë Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), institucioni që është i detyruar të zbardhë vendimet, të cilat ua dërgon për nënshkrim Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit, dhe Ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë.

 Shkrimi u publikua sot (12.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)