Ndërtimi i Qendrës së Konferencave dhe Ekspozitave në Bulevardin e Ri në Tiranës ka nisur sot me garën për përzgjedhjen e studios fituese të konkursit ndërkombëtar për projektin. Pesë studiot finaliste arkitekturore prezantuan sot vizionin e tyre për këtë projekt të rëndësishëm.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se me Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave çelet zyrtarisht një tjetër epokë e transformimit të Tiranës, që këtë herë do t’i japë një hov të ri zhvillimi anës tjetër të kryeqytetit, drejt Bulevardit të Ri.
“Bulevardin e Ri na bën të kuptojmë sa është rritur Tirana për 100 vite dhe sa e nevojshme ishte për qytetin zgjatimi i shtyllës së saj kurrizore. Është edhe një krahasim me 100 vitet e para, kur arkitektët italianë ose vizitorët e epokës fashiste, vinin në Tiranë dhe thoshin: ‘kemi parë qytete pa bulevard, por s’kemi parë kurrë një bulevard pa qytet’. Ndaj duam që ta adresojmë menjëherë këtë dhe bulevardi t’i bashkohet pjesës tjetër së qytetit. Bëhet fjalë për të balancuar Tiranën në anën veriore, për t’u siguruar që qyteti ka dy qendra graviteti: Sheshi ‘Skënderbej’, si hapësira që e mban në vend këtë simetri, dhe “Bulevardi i Ri” si përkufizimi i ëndrrës sonë për Tiranën e shekullit të dytë Kryeqytet”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë argumentoi se tashmë që po merr zgjidhje edhe çështja e akomodimit të turistëve, ka lindur një tjetër nevojë, ajo për hapësira të reja për aktivitete dhe konventa.
“Sot jemi në një situatë ku brenda pak viteve, i jemi përgjigjur kërkesës për shtretër. Por njerëzit nuk vijnë vetëm për të fjetur dhe për të shëtitur në shesh. Një nga nevojat e mëdha ka qenë ajo për të pasur hapësira për aktivitete, kongrese dhe konventa. Vitin e kaluar Tirana ishte Kryeqyteti evropian i Rinisë dhe kemi numëruar mbi 1600 aktivitete. Ka lindur nevoja, jo vetëm për akomodim dhe ushqim, ku Tirana sot është kampion për hotelet e reja dhe restorantet mbresëlënëse, por edhe për hapësira ku mund të mblidhen konventa, kongrese, seminare, grupe të ndryshme të organizuara, kongreset e mjekëve, të inxhinierëve, të urbanistëve. Kërkesa e këtij konkursi ka qenë për të na dhënë një zgjidhje edhe për pjesën private, pjesën rezidenciale, por edhe për një pjesë që do të jetë pajë e qytetit, do i lihet qytetit si kontribut për një qendër të re të panaireve dhe konventave,” u shpreh Veliaj.
Gjatë fjalës së tij, në konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e projektit fitues për Qendrën e Konferencave dhe Ekspozitave në Bulevardin e Ri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tregoi edhe disa institucione të tjera që do të vendosen në atë zonë. Ato do të jenë godinat e Gjykatës së Lartë dhe Muzeut i Artit Modern, përfshirë këtu edhe një ndërtesë të re administrative e Bashkisë së Tiranës.
“Disa prej institucioneve të drejtësisë do të kalojnë te Bulevardi i Ri. Kemi piketuar hapësirën ku do të jetë godina e re e Gjykatës së Lartë dhe jemi duke piketuar hapësirën për Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës. Sot institucionet janë të shpërndara, çka shton trafikun dhe ecejaket në qytet, ndërkohë duke i sjellë në Bulevardin e Ri ulin pak presionin që ka Tirana e vjetër. Kemi një plan në prag të miratimit për të zhvendosur zyrat administrative të Bashkisë së Tiranës te Bulevardi i Ri. Nëse jemi ne të parët që zhvendosemi aty, shtojmë besimin te investitorët dhe operatorët e tjerë për t’u transferuar edhe ata te Bulevardi i Ri. Godina aktuale e Bashkisë së Tiranës do të ruajë selinë tradicionale, ku do të bëjmë pritjet dhe përcjelljet protokollare. Ndërkohë, administrata do të transferohet në një ndërtesë ultra moderne te Bulevardi i Ri”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se në Bulevardin e Ri do të ndërtohet edhe Muzeu i Artit Modern.
“Tirana, si Kryeqyteti Europian i Rinisë vitin e kaluar, dhe sot i Qyteti Europian i Sportit, e nesër potencialisht i Kulturës, ka nevojë të shtojë hapësirat kulturore. Sado që Galeria e Arteve po rikonstruktohet dhe do të shtohet në volum, sado që Tirana ka hapur një Galeri të qytetit, për të promovuar talentet e reja, nuk mjafton. Siç kemi prurje rezidenciale, kemi edhe prurje krijuese, kemi një kreativitet të jashtëzakonshëm që na duhet ta akomodojmë në hapësira të reja. Në Bulevardin e Ri jemi duke piketuar hapësirën që do jetë muzeu ‘Moma’, Muzeu i Artit Modern në Tiranë. Ndërkohë, jemi duke bërë një plan për një shesh ceremonial, në fund të Bulevardit të Ri, siç është sheshi Nënë Tereza në krahun tjetër”, bëri me dije Veliaj.